Lidhje

Shqipëri: Kryetari socialist sulmon ashpër qeverinë e djathtë


Në Shqipëri, kryetari i partisë socialiste, Edi Rama, sulmoi sot ashpër qeverinë e djathtë duke deklaruar se ajo po vepron sipas ligjeve të kryeministrit dhe jo sipas ligjeve të shtetit. Zoti Rama, njëkohësisht kryetar i shoqatës së drejtuesve të pushtetit lokal, tha se nuk do të lejohet që buxheti i vitit 2006 të hartohet pa u konsultuar me përfaqësuesit e bashkive dhe komunave. Ndërkohë e djathta ka njoftuar se ka kërkuar një mocion me debat për çështjen e korrupsionit në vend.

Kryetari i Partisë Socialiste u shfaq sot shumë kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Sali Berisha duke deklaruar se i druhet një kthimi prapa në zhvillimin e vendit dhe se opozita do t’i rezistojë dhe do mbrojë me çdo çmim standartet e arritura. Sipas tij problemi i qeverisë se djathtë nuk është mungesa e fondeve por mungesa e vizionit për të drejtuar vendin dhe për këtë ai fajësoi direkt kryeministrin Sali Berisha.

"Shqipëria e Sali Berishës nuk është europiane. Këtu fillon drama e qeverisjes së sotme. Qeveria e Sali Berishës është anarkike, sado e çuditshme të duket kjo gjë. Shqipëria e ligit të Sali Berishës është vetë ligji i Sali Berishës. Dhe jo kushtetuta e Shqipëris dhe ligjet e miratuara nga parlamenti. Shqipëria e Sali Berishës është Shqipëria e të gjithë fanatikëve, e ushtarëve dhe servilëve dhe jo e qytetarëve".

Zoti Rama deklaroi se socialistët nuk do të bëhen pengese por do të nxisin qeverinë. Për të ndërtuar një shtet modern, tha ai, socialistët do të jenë të gatshëm të bisedojnë, të diskutojnë, të kërkojnë të dëgjohen propozimet e tyre dhe për të bërë reforma. Por sipas tij, deri më tani qeveria e djathtë nuk ka ndërmarrë asnjë reformë reale. Në cilësinë edhe të kryetarit të shoqatës të drejtuesve të pushtetit vendor ai bëri thirrje ultimative që në hartimin e buxhetit të vitit 2006 të konsultohen edhe bashkitë e komunat e vendit. Sipas zotit Rama nuk do të lejohet të përsëritet ajo që ndodhi me marrjen e vendimt të njëanshëm të qeverisë për përgjysmimin e taksave ku u anashkalua pushteti vendor.

"Buxhetin e vitit 2006 për bashki dhe komuna nuk mund ta bëjë dot siç e bëri në mënyrë unilaterale këtë veprim skandaloz duke cënuar autonominë vendore. Nuk do ta bëjë dot. Se sa do të jetë ky buxhet kjo është një çështje që diskutohet. Por një çështje që nuk duhet diskutuar është se ky buxhet nuk duhet dhe nuk do të mund të jetë më i ulët se ai që kishim me qeverinë socialiste. Se Shqipëria nuk shkon mbrapoa dhe nuk do shkojë mbrapa se i ka ngel ora shokut Sali".

Zoti Rama përmendi edhe atë që tashmë është quajtur çëshja Sollaku, për shkak të sulmeve të ashpra që shumica aktuale i ka bërë prokurorisë. Sipas tij, socialistët nuk shqetësohen për fatin personal të prokurorit të përgjithshëm por kërkesa për largimin e tij tha ai, nuk po vjen si një paketë me një reformë të sistemit të drejtësisë.

Por nga ana tjetër për Partinë Demokratike, kryetari socialist po mbron prokurorinë që ajo sipas tyre të mos hetojë ndaj veprimtarisë së tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Krytari i grupit parlamentra Bamir Topi tha se nuk shtrohet çështja për individë por për luftë frontale institucionale ndaj korrupsionit. Për këtë arsye shumica ka kërkuar një mocion me debat e cila do të shoqërohet me një projekt- rezolutë për cështjet mjaft të rëndësishme të luftës kundër korrupsionit.

Në këtë material, tha zoti Topi, janë trajtuar të gjitha problemet që kanë të bëjnë me korrupsionin galopant që ka patur qeveria socialiste, të gjitha institucionet dhe kërkohet patjetër një reagim sinkron i të gjitha institucioneve për të bërë të mundur një luftë efikase kundër kësaj sëmundje tepër të rëndë dhe me pasoja negative për shoqërinë shqiptare. ***

XS
SM
MD
LG