Lidhje

Irak: 11 vetë humbën jetën nga incidentet e fundit me dhunë


Në Irak, incidentet e fundit me dhunë kanë shkaktuar vdekjen e 11 personave, duke u hedhur një hije të zymtë festimeve me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në veri të Bagdatit, në afërsi të Bakubës, persona të armatosur sulmuan një postbllok të policisë në qytetin Buhriz, duke lënë të vrarë 6 policë dhe duke plagosur 10 të tjerë.

Një makinë bombë shpërtheu në qytetin Tuz Khormato, në afërsi të Kirkukut, kur po kalonte një autokolonë e ushtrisë irakiane. Katër ushtarë u vranë, pesë të tjerë u plagosën.

Dhuna ndikoi negativisht në atmosferën me rastin e Bajramit, i cili nga shumica e myslimanëve shiitë të Irakut festohet sot. Besimtarët suni filluan dje festën 3 ditëshe me rastin e Bajramit.

Ndërkaq, ekstremistët e al-Kaidës në Irak ritheksuan kërcënimet e tyre për të vrarë diplomatë të huaj në Bagdat, një ditë pasi deklaruan planet për të ekzekutuar dy punonjës të ambasadës marokene që mbahen peng.

XS
SM
MD
LG