Lidhje

SHBA: Qeveria parashtron strategjinë për të parandaluar epideminë e gripit të shpendëve


Presidenti Bush parashtroi një plan prej 7,1 miliardë dollarësh për të mbrojtur amerikanët dhe të tjerët kundër një epidemie të mundshme të gripit të shpendëve në gjithë botën.

Duke folur në kompleksin e Instituteve Kombëtarë të Shëndetsisë në periferi të Washingtonit, presidenti Bush tha se epidemia nuk ishte e afërt, por paralajmëroi se virusi kishte shfaqur disa karakteristika, që mund të shndërohen në një grip masiv, një virus për të cilin njerzit nuk kanë imunitet natyral dhe që mund të përhapet me lehtësi nga një njeri tek tjetri.

Presidenti Bush thotë se pa humbur kohë duhen bërë përgatitje për të përballuar një epidemi të mundëshme globale të gripit të shpendëve.

“Tani për tani nuk kemi përballë ndonjë epidemi as në vendin tonë dhe as në botë. Por në qoftë se presim deri sa ajo të shpërthejë, do të ishte shumë vonë për të bërë përgatitje.”

Strategjia e presidentit përfshin 1,2 miliardë dollarë për të blerë vaksina, që do të mbronin 20 milion amerikanë nga virusi i tanishëm i gripit të shpendëve, një miliardë dollarë për ilaçe rezervë anti-virale dhe 2,8 miliardë dollarë për të përshpejtuar rritmin e zhvillimit të vaksinave të reja. Ai i kërkoi gjithashtu kongresit që të sigurojë për prodhuesit e vaksinave më shumë mbrojtje nga akt-paditë ligjore.

“Gjatë 3 dekadave të fundit, numri i vaksinave të prodhuara në Amerikë ka rënë ndjeshëm ndërsa kjo industri është përfshirë nga akt-paditë ligjore. Sot në Shtetet e Bashkuara ka vetëm një kompani farmaceotike, që mund të prodhojë vaksinën e gripit. Një gjë e tillë e lë vendin tonë të pambrojtur në rastin e një epidemie me përmasa të mëdha.”

Sekretari amerikan i Shëndetsisë dhe Shërbimeve Humane, Michael Leavitt, tha se ky është një problem për të gjithë botën.

“E vërteta është se Shtetet e Bashkuara nuk kanë aftësinë për të prodhuar vaksina me shpejtësinë e duhur dhe në sasi të mjaftueshme për çdo amerikan. Një gjëndje e tillë ekziston në të gjithë botën dhe ajo duhet ndryshuar.”

Ekspertët thonë se duhen rreth 6 muaj që vaksina të bëhet gati për t’u përdorur. David Heyman, pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare këtu në Washington, tha se kjo do të thotë se shumë amerikanë do të vdisnin në se vendi përballet me një epidemi.

“Nuk diskutohet që ne kemi nevojë për vaksina dhe për këtë po bëhen përpjekje të shumta. Por përpjekje të mjaftueshme nuk po bëhen për sa i përket ndërhyrjeve jo-mjeksore si për shembull kontrolli i ekspozimit ndaj sëmundjeve, mjetet e disponueshme për kontrollin e infeksionit dhe higjenën dhe mbrojtja e popullatës, që sëmundja të mos përhapet mes njerzve.”

Plani i administratës, hollësitë e të cilit do të bëhen publik këtë javë, përfshin më shumë fonde për shtetet dhe për planet lokale të emergjencës. Zoti Heyman thotë se angazhimi i qarqeve lokale është me rëndësi për mbajtjen nën kontroll të virusit, por ai shton se diktimi i hershëm në shkallë botërore është kyç për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Mikrobet nuk njohin kufij politikë prandaj edhe sëmundja do të përhapej pa kontroll.”

Viruset e gripit të shpendëve kanë shkaktuar 3 epidemi gjatë shekullit të fundit. Njëri prej tyre, gripi spanjoll i vitit 1918, shkaktoi vdekjen e më shumë se 20 milion njerzve në gjithë botën.

XS
SM
MD
LG