Lidhje

Gjeni i jetëgjatësisë; Metabolizmi


Gjeni i jetëgjatësisë

Shkencëtarët thonë se janë tepër optimistë rreth një eksperimenti në laborator i cili ka treguar se jeta e kafshëve mund të zgjatet. Gjithkush mund të bëjë pyetjen, në se tani radhën e ka njeriu. A do të jenë në gjendje shkencëtarët ta zgjasin e jetën e tij?

Ky krimb i vogël që shihet në mikroskop, normalisht ka një jetëgjatësi të shkurtër. Por kur biologia nga Kalifornia, Sinthia Kenion ndryshoi ose aktivizoi një gjen të këtij krimbi, ajo vuri re se krimbi jetoi dy herë më gjatë sesa normalisht. Dhe kjo ndodhi vetëm duke i ndryshuar një gjen të vetëm. Kjo lë të kuptohet se edhe tek njeriu, aktivizimi i një gjeni të vetëm mund të ndryshojë jetëgjatësinë. Askush nuk kishte mundur të zbulonte gjenin përgjegjës për plakje, apo çelsin e moshës, derisa shkencëtarja Kenion bëri të ditur arritjet e saj, një vit më parë.

Gjeni është quajtur Daf 2. Pas kësaj, shkencëtarë të tjerë filluan të përcaktojnë gjenet e jetëgjatësisë tek fluturat dhe minjtë, jeta e të cilëve pas ndryshimit të gjenit u zgjat 20 përqind. Por kur shkencëtarja Kenion ndryshoi jo një por dy gjene tek krimbi në laborator, jeta e tij u zgjat 6 herë më shumë. Për njeriun kjo shifër do të ishte e jashtëzakonshme, mendoni sikur njerëzit të arrijnë të jetojnë 500 vjet dhe plotësisht të shëndetshëm. Teorikisht, të gjitha krijesat janë pajisur me gjene të tilla të jetëgjatësisë. Shtrohet pyetja përse? Shkencëtarja Kenion thotë se ka të ngjarë që ky gjen i mbron kafshët nga rreziku i urisë dhe i kushteve klimatike. Gjeni kur nxitet apo ngacmohet, krijon një reaksion zinxhir të një grupi të gjërë gjenesh që kryjne rigjenerimin e qelizave e luftojnë sëmundjet. Kur shkencëtarët arrijnë të aktivizojnë artificialisht këtë sistem gjenesh, ata ndihmojnë për mbajtjen gjallë të organizmit. Dhe përderisa ky sistem gjenesh është i pranishëm tek shumë kafshë, ka shumë të ngjarë që atë ta kenë edhe njerëzit.

Gjithë optimizëm rreth zbulimit të saj, shkencëtarja Sinthia Kenion ka krijuar tani një kompani për prodhimin e një tablete për nxitjen e gjenit të jetëgjatësisë tek njeriu.

Metabolizmi

Ndërsa festat e fundvitit po afrojnë, përveç gëzimit ato sjellin edhe shqetësime për ata që nuk duan të shtojnë në peshë. Por shkencëtarët në universitetin e Floridës kanë zbuluar një element për mbajtjen e metabolizmit nën kontroll. Shkencëtarët po përqëndrohen tek leptini, hormoni që djeg yndyrnat dhe rregullon metabolizmin e trupit. Gjatë provave me kafshë në laborator, shkencëtarët bllokuan me sukses një enzimë që normalisht pengon veprimtarinë e hormonit leptin tek personat me mbi peshe trupore. Kur Leptini humbet ndjeshmëri apo nuk vepron, njerëzit shtojnë në peshë. Duke përdorur një substancë të quajtur vanadium, shkencëtarët rritën aftësinë e hormonit leptin për të djegur kalori tek minjtë në laborator në një sasi shumë më të lartë sesa pa këtë lloj trajtimi. Megjithëse nivelet e vanadiumit që u përdorën tek minjtë, janë shumë më të larta sesa ato që organizmi i njeriut mund t’i përballojë, shkencëtarët shpresojnë që një ditë do të arrijnë ta modifikojnë këtë metodë për të kryer studime edhe mes njerëzve. Profesori Filip Skarpejs thotë se leptini është një hormon mjaft i rëndësishëm në kontrollin e yndyrnave të tepërta dhe kur ky hormon nuk vepron normalisht, njerëzit shtojnë në peshë. Dhe çka është më e keqja, kur një person bëhet mbi peshë, shtimi i shpejtë i kësaj peshe bëhet edhe më i mundshëm. Ekspertët gjithashtu po shqyrtojnë mundësinë e modifikimit të një proteine që i nxit qelizat për të djegur më shumë ushqime si nxehtësi, në vend që t’i ruajnë ato në formë dhjami. Shkencëtarët mendojnë se duke shtuar sasinë e kësaj proteine në organizëm, ndoshta nëpërmjet terapisë gjenetike, personat që vuajnë nga mbipesha trupore, një ditë do të jenë në gjendje të shtojnë djegjen e kalorive, duke nisur kështu procesin e metabolizmit.

Profesor Skarpejs thotë se objektivi afatgjatë i grupit të shkencëtarëve është për të gjetur mënyra për fillimin e djegjes së yndyrnave, nëpërmjet modifikimit të leptinit ose nëpërmjet mekanizmave të tjera që thjesht nxisin këtë proces./al

XS
SM
MD
LG