Lidhje

Ollbrajt: Shpresoj që Kosova të marrë në dorë fatin e saj


Ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Ollbrajt, e cila njihet si njëra prej arkitekteve të ndërhyrjes së Natos në Kosovë tha se shpreson që shoqëria kosovare të bëhet një shoqëri shumetnike e cila të jetë e orientuar nga Brukseli.

Në komentet që bëri sot në Uashington për Zërin e Amerikës, ish sekretarja amerikane e shtetit tha se është shumë e kënaqur që bisedimet për statusin e Kosovës do të fillojnë.

Shpresoj, tha zonja Ollbrajt, se bisedimet për statusin do të bëjnë të mundur që populli i Kosovës të ketë në dorë fatin e tij dhe në të njëjtën kohë që në Kosovë të ndërtohet një shoqëri shumetnike.

Këtë verë, kur isha në Kosovë, tha ish sekretarja e shtetit, u takova me disa serbë të cilët tani ndjehen të izoluar dhe kjo është shqetësuese. Shpresa ime për Kosovën ka qenë gjithmonë që ajo të jetë një shoqëri e lulëzuar shumetnike, një shoqëri e cila të jetë shumë më tepër e interesuar për atë që ndodh në Bruksel se sa për atë që ndodh në Beograd.

Shpresoj, tha zonja Ollbrajt, se bisedimet për çështjen e statusit do të arrijnë të zgjidhin disa prej këtyre çështjeve.

Zonja Ollbrajt i bëri komentet në pushimin e një konference ku u diskutua mbi trafikun e qenieve njerëzore dhe mbi çështjen e refugjatëve në botë.

XS
SM
MD
LG