Lidhje

Uesli Klark: Nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës


Në komentet që bëri për Zërin e Amerikës, ish komandanti suprem i NATO-s, Uesli Klark tha se gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës do të ketë vështirësi sepse çështje të tilla janë shumë emocionale. Gjenerali Klark i bëri komentet gjatë një konference të zhvilluar dje në Uashington për çështjen e parandalimit të genocidit dhe spastrimit etnik në botë.

Gjenerali Klark ka qenë ndër figurat kryesore të administratës së Presidentit Klinton që u angazhua në fushatën e NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë.

Tani, gjatë vjet pas përfundimit të konfliktit, gjenerali në pension e përshëndet faktin që komuniteti ndërkombëtar i ka hapur dritën e jeshile fillimit të bisedimeve.

“Bisedimet duhet të fillojnë këtë vit sepse koha nuk pret. Durimi i njerëzve ka kufi dhe pengesat apo zvarritjet e mëtejshme nxisin nervozizëm më të madh dhe inkurajojnë ata njerëz që dëshirojnë të pengojnë lëvizjen e mëtejshme përpara,” tha gjenerali Klark.

Si ushtarak me përvojë në zgjidhjen e konflikteve, gjenerali Klark ka besim tek arritja e paqes:

“Një ditë paqja do të arrihet por ne nuk e dimë se sa kohë do të duhet. Emocionet rreth çështjeve si kjo duan kohë të gjatë që të qetësohen. Prandaj gjatë procesit do të ketë shumë zemërim dhe shumë frikë midis mjaft njerëzve në Kosovë.”

Gjenerali Klark thotë se nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës.

“Mendoj se duhen dhënë më tepër sigurime konkrete për mbrojtjen e pakicave dhe për pjesmarrjen e tyre në qeverisje. Gjithashtu duhet garantuar se forcat e sigurimit nuk do të mbizotërohen nga njëra palë e vetme dhe kjo kërkon veprime të forta ligjore për të ndjekur ata njerëz që bëjnë frikësime dhe kërcënime. Fjala është për një farë plani për mbrojtjen e pakicave. Nuk do të dëshiroja të shikoja ndarjen e Kosovës, nuk do të dëshiroja që pjesa veriore e Kosovës të kishte parlamentin e saj të veçantë apo qeverisjen e saj sepse kjo do të ishte një zgjidhje e gabuar e çështjes. Kosova, për mendimin tim, duhet të jetë një e tërë dhe me një qeverisje të vetme.”

XS
SM
MD
LG