Lidhje

Shtetet e Bashkuara pritet të emërojnë së shpejti të dërguarin e tyre në negociatat për statusin e Kosovës


Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha dje se Grupi i Kontaktit rikonfirmoi angazhimin për të luajtur një rol qendror në procesin e negociatave për statusin e Kosovës. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack tha dje një ditë pas takimit të përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit se së afërmi Shtetet e Bashkuara pritet të emërojnë të dërguarin amerikan në negociata.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe evropianë u takuan në Washington për të diskutuar mbi përgatitjet për negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.

Takimi në nivel drejtorësh politikë të Grupit të Kontaktit u drejtua nga Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns dhe në të merrte pjesë Martii Ahtisaari, ish-presidenti i Finlandës që pritet të caktohet nga Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anna si i dërguari i posaçëm në negociata.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack tha dje në një konferencë për shtyp se Grupi i Kontaktit rikonfirmoi angazhimin për të luajtur një rol qendror në bisedimet për të ardhmen e Kosovës, por njëkohësisht theksuan se roli kryesor do të ishte ai i të dërguarit të posaçëm të OKB-së.

“Mendoj se nga pikëpamja jonë, synimi për gjithë procesin është që statusi të jetë rezultat i një marrëveshjeje mes palëve përmes negociatave dhe kompromisit, që të krijonte për popullin e Kosovës dhe fqinjët e saj një të ardhme të sigurt dhe demokratike dhe që statusi i ardhshëm i Kosovës të kontribuojë në stabilizimin e rajonit, duke ndihmuar kështu integrimin euro-atlantik të tij”.

Zoti McCormack tha se në takim u diskutua për gjendjen në Kosovë, si edhe për procesin për fillimin e negociatave për statusin e ardhshëm politik të Kosovës dhe parimet mbi të cilat duhet të mbështetet ky proces.

Ndërkohë megjithëse nënsekretari Burns ka thënë se do të emërohet një përfaqësues amerikan në negociata, zëdhënësi McCormack tha se ende nuk është caktuar se cili do të jetë ai.

“Nuk është vendosur përfundimisht. Mund të them vetëm që nuk do të jetë zoti Burns, por ai duke u këshilluar edhe me Sekretaren (Rice) do të emërojë dikë në të ardhmen e afërt. Do të njoftojmë kur ky person të emërohet”.

Në takimin e së mërkurës merrnin pjesë përfaqësues nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Merrnin pjesë edhe përfaqësues të NATO-s dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG