Lidhje

Sekretarja e Shtetit Condoliza Rajs në prag të një turneu 12-ditor nga Lindja e Mesme në Azinë Lindore

  • Dejvid Gollast

Gjendja pas tërheqjes së Izraelit nga Gaza ka qenë tepër zhgënjyese për zyrtarët amerikanë, ndërkohë që përparimi drejt paqes është ndaluar për shkak të një shpërthimi vetëvrasës më 26 tetor dhe sulmeve ndëshkuese izraelite kundër ekstremistëve palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Gaza.

Zyrtarët thonë se zonja Rajs gjatë biesdimeve me udhëheqës izraelitë e palestinezë do të përpiqet t’i kthejë edhe një herë rrjedhën e zhvillimeve drejt planit të paqes për Lindjen e Mesme duke ushtruar trysni ndaj autoritetetit palestinez që të shtypë ekstremistët e armatosur dhe duke bindur Izraelin që të zbusë kufizimet ndaj lëvizjes së palestinezëve dhe veprimtarisë së tyre ekonomike.

Sekretarja Rajs e fillon këtë udhëtim, më të gjatin që nga ardhja e saj në post, me ndalesa në Bahrejn dhe Arabi Saudite, ku do të përqendrohet në reformat e sigurimit dhe ato politike.

Ajo shkon më pas në Jeruzalem për të filluar takimet me izraelitë e palestinezë në vazhdim të kontakteve me Xhajms Wolfenson, i dërguar i grupit të Katërshes mbi Lindjen e Mesme, dhe të vetë zonjës Rajs, e cila zhvilloi të mërkurën në Washington një takim me ministrin izraelit të mbrojtjes, Shaul Mofaz.

Duke folur me gazetarët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shan Mëkormak, tha se objektivi i parë amerikan është arritja e një marrëveshjeje për hapjen e kalimit kufitar në Rafah ndërmjet Gazës dhe Egjiptit në mënyrë që palestinezët të një kenë një portë për tregëti e udhëtim. “Të mërkurën, tha zëdhënësi, u diskutua mjaft me zotin Mofaz në lidhje me masat që qeveria izraelite dhe autoriteti palestinez bashkë me qeverinë e Egjiptit dhe zotin Wolfenson do të marrin për të arritur një marrëveshje të pranueshme nga të gjitha palët e përfshira në çështjen e pikëkalimit në Rafah dhe të pikëkalimeve ndërmjet Rripit të Gazës dhe Egjiptit. Palët po bëjnë mjaft përparim në këto pika diskutimi, por ende mbeten çështje teknike për t’u zgjidhur”.

Zonja Rajs do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e dhjetëvjetorit të vrasjes së ish-kryeministrit izraelit, Itzhak Rabin dhe do të mbajë në Jeruzalem një fjalim mbi politikën në lidhje me Lindjen e Mesme.

Në Bahrejn, ajo do të marrë pjesë në Forumin e dytë të përvitshëm mbi të Ardhmen, takim ky i nivelit të lartë në rang ministrash, ku mblidhen zyrtarë të Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe Grupit të Tetëshes, i cili do të përqendrohet në reformat politike në rajon.

Në Arabinë Saudite, ajo do të marrë pjesë në takimin e parë të komisionit amerikano-saudit mbi dialogun strategjik.

Nga Lindja e Mesme, zonja Rajs do të shkojë në Korenë e Jugut për një mbledhje të ministrave të jashtëm të forumit për bashkëpunimin ekonomik të Azi-Paqësorit që do t‘i paraprijë takimit të nivelit të lartë të APEC-ut. Pas këtij takimi, në fund të turneut të saj, ajo së bashku me Presidentin Bush do të bëjë vizita në Kinë e Mongoli. //az//

XS
SM
MD
LG