Lidhje

Në Mar del Plata zhvillohet takimi i katërt i nivelit të lartë i dy Amerikave


Presidenti Bush u takua me presidentin e Argjentinës Nestor Kirchner në Mar del Plata në prag të takimit të katërt të nivelit të lartë të dy Amerikave. Delegacione nga 34 vende do të marrin pjesë në takim, ku ndër temat e diskutimit pritet të përfshihen papunësia, varfëria dhe tregëtia e lirë.

Në një deklaratë pas takimit, presidenti amerikan e vlerësoi homologun e tij argjentinas për punën e tij për të përmirësuar ekonominë e vendit. Presidenti tha se dy vendet kanë një besim të përbashkët tek demokracia dhe e kuptojnë nevojën për të mbrojtur institucionet demokratike.

Më parë presidenti Bush u takua me udhëheqës të vendeve që nënshkruan Marrëveshjen e Amerikës Qendrore për Tregëtinë e Lirë.

Gjatë qëndrimit të tij në Argjentinë, presidenti pritet të ushtrojë presion për rifillimin e negociatave për arritjen e një marrëveshjeje të tregëtisë së lirë, e cila do të përfshinte Amerikën Veriore, atë Qëndrore dhe të Jugut.

Ndërkaq, qyteti bregdetar Mar del Plata po përgatitet për demonstrata. Dhjetëra mijëra aktivistë pritet të marshojnë sot në rrugët e qytetit në shenjë proteste kundër luftës në Irak dhe politikave ekonomike ndërkombëtare të presidentit Bush.

XS
SM
MD
LG