Lidhje

Kirk: Kosova duhet të jetë e pavarur por ajo duhet të respektojë të drejtat e pakicave


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Mark Kirk thotë se çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës tani për tani janë lënë në hije në Kongres për shkak të problemeve të tilla si Iraku, Koreja e Veriut dhe Irani.

Republikani Mark Kirk është nënkryetar i grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan. Ai thotë se interesimi për shqiptarët i lindi kur shërbente në marinën e Shteteve të Bashkuara.

"Na urdhëruan të shkonim në bazën e Avianos në Itali dhe prej andej kryem bombardime në Serbi dhe në Kosovë në mbështetje të Natos. Në atë kohë, në jetën civile punoja për Kongresin, megjithëse nuk isha kongresmen. Para luftës e kisha vizituar Kosovën disa herë. Jam takuar me një familje në fshatin Qirez pas një masakre që ndodhi atje. Isha gjithashtu amerikani i fundit që takohesha me gjeneralin serb Sreten Llukiç, pikërisht një natë para se ai të urdhëronte fillimin e operacionit Patkoi. Më kujtohet se në takimin që patëm në Prishtinë unë i bëra atij pyetjen e vështirë: çfarë do të ndodhte nëse NATO-ja fillon bombardimet kundër jush? Gjenerali u inatos shumë dhe neve na u desh të largoheshim nga takimi."

Ai tregon se pas luftës shkoi përsëri në Kosovë dhe i kërkoi shoferit të taksisë ta çonte në vendin ku kishte patur zyrën gjenerali Lukiç. E gjetëm me vështirësi vendin, kujton ai, sepse aty nuk kishte mbetur gjë tjetër veçse një gropë e madhe nga një bombardim i NATO-s.

Si rezervist, në vitin 2000, Mark Kirk ka kryer fluturime edhe në Irak me skuadriljen e tij. Ai kujton se si në Irak ai ndeshi në të njëjtët njerëz kundër të cilëve kishte luftuar në Kosovë.

"Këta ishin disa nga oficerët serbë por që shërbenin tani në sistemin e mbrojtjes ajrore të Saddam Husseinit, të cilët më parë kishin shërbyer në ushtrinë jugosllave."

Ligjvënësi mendon se Kosova është qysh tani vend i pavarur dhe sipas tij ajo duhet të jetë e tillë. Ai e argumenton kështu pikpamjen e tij.

"Natyrisht, kjo është një çështje delikate prandaj ne duhet të arrijmë një farë marrëveshje rreth Kosovës që ajo të jetë pak a shumë si Tajvani – me një ushtri të pavarur, me parlament të pavarur dhe me një farë konfederate të lirë me pjesën tjetër të ish Jugosllavisë. Por mendoj se dita e sundimit të plotë të Serbisë mbi Kosovën ka marrë fund dhe kjo për shkak të luftës. Ushtria serbe u kthye kundër popullit kosovar dhe kujtimi i këtij fakti nuk e lejon kurfarë integrimi të plotë me Serbinë. Por zoti Kirk paralajmëron se të drejtat e pakicave duhet të respektohen sepse nëse Kosova kthehet në një diktaturë shqiptare, thotë ai, ajo nuk mund të bëhet pjesë e Evropës."

Tani për tani, thotë zoti Kirk, Kosova ka mbetur disi në hije në Kongresin amerikan.

"Ajo ka mbetur në hije për shkak të Irakut, Iranit, Koresë së Veriut, forcimit të Kinës. Por sa herë që anëtarët e Kongresit mendojnë për Kosovën, ata mendojnë për të si një fitore e madhe, një fitore e madhe për të drejtat e njeriut. Ekspertët që e ndjekin Kosovën nga afër, vlerësojnë faktin se me 17 mijë trupat që ne kemi atje, ne po stabilizojmë krejt rajonin. Ne e vlerësojmë shumë kontributin me trupa të vendeve evropiane, por boshnjakët dhe kosovarët e dinë se Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që mundi të ishte vërtet i efektshëm në ruajtjen e paqes kur serbët u përpoqën ta prishin atë."

Mark Kirk përfaqëson një zonë të shtetit Ilinoi ku jetojnë shumë shqiptarë dhe ai ka një vlerësim të lartë për ta.

"Ne themi ndonjëherë me shaka se nga të 10 mijë restorantet që ka në Ilinoi, 5 mijë janë të shqiptarëve. Ne e shikojmë se shqiptarët janë të pasur, kudo në botë përveç në Shqipëri. Shqiptaro-amerikanët që jetojnë në rajonin e Çikagos janë në një masë të madhe biznesmenë shumë të suksesshëm, janë gjithashtu qytetarë mjaft të angazhuar në politikë."

Mark Kirk thotë se shqiptarët e kanë mbështetur shumë në fushatën e tij për t’u zgjedhur në Kongres.

Ligjvënësi Kirk ka marrë pjesë në operacionet e bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë në vitin 1999 dhe thotë se Kosova duhet të jetë e pavarur por ajo duhet të respektojë të drejtat e pakicave.

XS
SM
MD
LG