Lidhje

Konferencë mbi parandalimin e konflikteve në Shkup


Konferenca mbi parandalimin e konflikteve në Shkup nxorri në pah nevojën e përmirësimit në shumë fusha, në veçanti në atë të ekonomisë, në mënyrë që vendet e rajonit të mund të realizojnë synimet për integrim në strukturat evroatlantike.

Ervan Fuere, ambasador i Bashkimit Evropian dhe i Komisionit Evropian në Shkup bëri disa vërejtje në lidhje me zhvillimet e përgjithshme në rajon. Ja disa nga to:

“Pa qëndrueshmëri nuk ka institucione që funksionojnë, pa institucione në funksionim nuk mbisundon ligji dhe pa funksionimin e ligjit nuk do të ketë ekonomi përparimtare. Pa ekonomi të shëndoshë stabiliteti do të mbetet nën rrezik”, tha ambasadori i ri i BE-së në Shkup.

Ai theksoi se pa përmirësim në të gjitha këto fusha “përparimi drejt integrimit në BE shndërrohet vetëm se në një ëndërr të humbur”. “Reformat duhet të bëhen në realitet dhe jo vetëm në letër, shtoi zoti Fuere.

Ambasadori i OSBE-së Karlosh Paish thotë se gjendja e përgjithshme e sigurisë po përmirësohet, ndërkohë nuk e përjashtoi mundësinë e incidenteve të izoluara lokale në të ardhmen. Lidhur me disa incidente të fundit si shpërthime pa pasoja serioze ai tha se “Nuk e shikon këtë si një kërëcënim ndaj sigurimit global”.

Në lidhje me vijën e demarkacionit midis Maqedonisë dhe Kosovës, zoti Paish tha se ajo paraqet një çështje të vogël teknike. Ndërkohë, për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2006 në Maqedoni, ambasadori i OSBE-së Paish theksoi garancitë e misionit të tij për të kontribuuar drejt një procesi të drejtë, të lirë dhe demokratik.

Komandanti i Shtabit të Natos në Maqedoni, gjenerali Dennis Blease tha se procesi i zgjerimit të Natos është një nxitje që anëtarët e saj t’i zgjidhin problemet me fqinjët dhe t’u përkushtohen reformave dhe demokratizimit.

Ndërsa Ministrja maqedonase e Punëve të Jashtme Ilinka Mitreva tha se integrimi evropian i Maqedonisë është jë proces i cili nuk ka kthim prara dhe se kjo është një strategji për parandalimin e konfliketeve në rajon. Në këtë kuadër, ajo u shpreh optimiste për një vlerësim objektiv dhe të të drejtë të përgjigjes së Bashkimit Evropian në lidhje me kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim në këtë organizatë. Përgjigja e BE-së pritet me datën nëntë nëntor.

XS
SM
MD
LG