Lidhje

Libby nuk e pranoi fajësinë mbi nxjerrjen e identitetit të një agjenteje të CIA-s.


Lewis Libby, ish-shefi i personelit të nënpresidentit Dick Cheney dhe këshilltar për çështjet e sigurisë kombëtare, doli dje para gjykatës federale në Washington.

Ai tha se nuk është fajtor lidhur me akuzat për dëshmi të rreme dhe errësim të së vërtetës gjatë hetimeve dy-vjeçare mbi çështjen e zbulimit të identitetit të agjentes së CIA-s, Valery Plame Wilson. I shoqi i saj, ish-ambasadori Joseph Wilson, ka qenë kritik i hapur i mënyrës se si Shtëpia e Bardhë i shfrytëzoi informacionet e zbulimit lidhur me armët e shkatërrimit në masë të Irakut, para fillimit të luftës.

Avokati i zotit Libby, Ted Wells, thotë se klienti i tij do ta qartësojë pozicionin e tij me anë të një procesi gjyqësor. Ish eprori i zotit Libby, Nënpresidenti amerikan Dick Cheney dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës mund të thirren në gjyq për të dëshmuar. Veç zotit Libby, për të njejtën çështje, po zhvillohen hetime edhe ndaj njërit prej këshilltarëve më të lartë të presidentit Bush, Karl Rove.

Administrata e presidentit Bush po përjeton tani ndikimin e kësaj çështjeje që ndodh në një kohë aspak të favorshme për të, thotë James Thurber, Drejtor i Qendrës së Studimeve Presidenciale dhe të Kongresit në Univesritetin amerikan në Washington.

"Ndikimi kryesor i kësaj aktpadie është se programi i politikës së brendëshme të Presidentit ka ngecur në vend, natyrisht që ai ka probleme edhe me luftën në Irak, dhe pas anketimeve të zhvilluara pas goditjes së uraganit Katrina, mbështetja e publikut për të ka rënë."

Doktor Thurber thotë gjithashtu se zakonisht, presidentët në mandatin e tyre të dytë presidencial, të cilët me ligj nuk lejohen për një mandat të tretë, shpeshherë e humbin mbështetjen e publikut.

"Presidentët gjatë një mandati të dytë, zakonisht kanë një rënie të menjëhershme përsa i përket mbështetjes së publikut, është fjala për publikun amerikan, dhe rrjedhimisht, edhe të mbështetjes në Kongres."-tha Thurber.

Edhe në Kongresin amerikan, po ndihet ndikimi i akpadisë ndaj zotit Libi.

"Kërkoj në emër të popullit amerikan, se ne e kuptojmë përse këto hetime nuk po zhvillohen siç duhet, prandaj në bazë të rregullit 21, i kërkoj Senatit të mblidhet në një sesion me dyer të mbyllura. "

Të martën udhëheqësi i demokratëve në Senat, Harry Reid e detyroi organin e kontrolluar nga republikanët të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm me dyer të mbyllura. Ai kërkoi të zbatohej rregulli 21, rrallëherë i përdorur, për të kërkuar hetime të mëtejshme mbi të dhënat e zbulimit të administratës së presidentit Bush para fillimit të luftës në Irak, si dhe për çështjen e zbulimit të indentitetit të agjentes së CIA-s.

Udhëheqësi i republikëve në senat, Bill Frist, u zemërua së tepërmi me vendimin e papritur të demokratëve, duke e quajtur atë manipulim.

"Ata nuk kanë bindje, as parime dhe as ide."- tha ai.

Për këtë çështje do të zhvillohet një proces hetimor, por studjuesi James Thurber thotë se ndarjet në Kongres mes dy partive do të bëhen edhe më të theksuara.

XS
SM
MD
LG