Lidhje

Shqipëria në prag të një krize energjitike


Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se qeveria po përpiqet të shmangë një kolaps të të gjithë sistemit energjitik. Aktualisht niveli i ujërave në hidrocentralet shqiptare është shumë i ulët dhe rrezikon të shkojë drejt pikës zero dhe qeveria është angazhuar në blerje të sasive nga jashtë. Por problem vazhdon të mbetet transmetimi i saj nga jashtë për shkak të mundësive të kufizuara të lidhjeve me rrjetet ndërkombëtare:

Në situatën aktuale duket se përmirësimi i gjendjes energjitike nuk është dhe aq i afërt, ndërsa përpjekjet e autoriteteve synojnë, ashtu siç tha sot edhe kryeministri Sali Berisha, të mund të evitojnë që sistemi të shkojë në kolaps total: "Po bëhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar kolapsin energjitik i cili është rrjedhojë totale e mos nënshkrimit të marrëveshjeve në maj e qershor për importin e eenrgjisë dhe zbrazjes elektorale të digave të hidrocentraleve jashtë të gjitha kritereve," tha kryeministri.

Socialistët nga ana e tyre thonë se niveli i ujërave të hidrocentraleve ka qenë deri në fund të qershorit në kuotat optimale dhe akuzojnë qeverinë e re se nuk ka reaguar me shpejtësinë e duhur. Por përtej shkëmbimeve të akuzave për fajtorin e gjendjes, për momentin duket se më shumë rëndësi ka gjetja e rrugëdaljeve nga kjo krizë e cila ka zhytur vendin në errësirë.

Ministri i Energjitikës Genc Ruli shkoi në Ukrainë dhe tani pritet një ofertë për furnizim për dy muajt e ardhshëm. Kontakte janë vënë dhe me Turqinë njoftoi kryeministri, ndërkohë që një blerje e dytë po bëhet nga Rumania dhe Bullgaria.

Por dhënia e fondeve për blerje nuk është zgjidhja përfundimtare. Shqipëria ka probleme për transmetimin e energjisë në rrjetin e saj nga jashtë. Një problem të cilin e njohu edhe kryeministri Berisha: "Ka një problem transmetimi sepse presim që qeveria serbe të lejojë transmetimin në mënyrë që të marrim nga dy drejtime. Problemi i energjisë nga Ukraina është transmetimi. Greqia nuk është se nuk përballet me vështirësitë e transmetimit. Duhet të jemi realist. Rrjeti i saj është i planifikur për Greqinë. Jam i sigurt se Greqia do të lejojë transmetimin".

Po sot kryeministri Berisha i pyetur nga Zëri i Amerikës, u shpreh kundër realizimit të një projekti të infrastrukturës për ndërtimin e rrugës Fier–Tepelenë. Sipas tij, ndërtimi i këtij aksi duhet zëvendësuar me atë Berat-Memaliaj, pasi është dhe më I shkurtër. Problemi megjthatë qëndron në faktin se për projektin e parë janë kryer studimet me financime të Bashkimit europian si dhe janë përzgjedhur kompanitë e supervizionit.

Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Banka Evropiane për investimet kanë akorduar afër 70 milion euro të cilat duhet vetëm të ratifikohen nga parlamenti shqiptar. Me shmangien e këtij projekti faktikisht hidhet në erë I gjithë financimit, ndërkohë që varianti i propozuar nga qeveria në rastin më të mirë, duke patur parasysh kryerjen e studimit dhe gjetjen e fondeve, do të dojë të paktën 3 vjet të tjera.

XS
SM
MD
LG