Lidhje

Francë: Trazirat përfshijnë qytete të tjera me popullsi imigrante


Të paktën një mijë banorë marshuan në një lagje të Parisit të përfshirë nga trazirat, duke kërkuar që t’i jepet fund dhunës së ditëve të fundit në zonat me emigrantë nga Afrika e Veriut. Marshimi i sotëm u bë ndërsa Kryeministri Dominik dë Villpë, diskutoi rreth krizës me ministrat kryesorë dhe më pas edhe me kreun e xhamisë së Parisit. Vala e trazirave që ka përfshirë lagjet punëtore periferike të Parisit, është përhapur përtej kryeqytetit francez. Për herë të parë, qytete të tjera me popullsi të madhe imigrantësh, njoftuan se gjatë natës së mbrëmshme ka patur protesta të dhunshme.

Autoritetet franceze thonë se gjatë natës së mbrëmshme u dogjën gati 900 makina dhe u arrestuan mbi 200 vetë. Një numër ndërtesash në periferi të Parisit po ashtu u dogjën, përfshirë një kopësht, një shkollë fillore dhe një supemarket. Protestat e dhunshme që zhvillohen kryesisht gjatë natës, filluan para rreth një jave, kur dy të rinj afrikanë, që me sa duket kujtonin se po i ndiqte policia, u fshehën në një nën-stacion elektrik, ku aksidentalisht i zuri korenti dhe vdiqën.

Policia thotë se nuk po i ndiqte dy të rinjtë. Incidenti bëri që në periferitë e Parisit të shpërthenin përleshje midis policië dhe të rinjve me origjinë etnike. Mbrëmë, disa qytete të tjera të mëdha në Francë, si Strazburgu, Rin, dhe Tuluza njoftuan për protesta të dhunshme. Mark Gautron, një zyrtar i lartë i policisë në Francë tha se demostruesit kanë filluar t’i ndryshojnë taktikat. “Duket se protestuesit po përpiqen t’i shmangen ballafaqimit të drejtpërdrejtë me policinë. Ata kanë filluar t’u venë zjarr objekteve dhe të largohen me vrap kur vjen policia. Kjo është arësyeja, thotë zyrtari francez, që nuk janë bërë më shumë arrestime,” thotë zoti Gautron.

Protrestat e këtyre ditëve, kanë nxjerrë përsëri në pah problemet e vjetra në Francë në lagjet me një përqëndrim të madh imigrantësh, ku papunësia dhe varfëria janë shumë më të larta se në pjesët e tjera të vendit. Shumica e protestuesve janë të rinj me shtetësi franceze, të lindur në Francë nga prindër emigrantë, por që thonë se ndihen të përjashtuar në vendin e tyre.

Mbrëmë vonë Kryeministri francez Dominik dë Vilpë, u takua me 15 të rinj nga lagjet me trazira të Parisit, për të gjetur rrugë për rivendosjen e rendit. Politikanët e opozitës së majtë kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Rendit Nikolas Sarkozi. Udhëheqësit socialistë po ashtu i dërguan një letër qeverisë së qendrës së djathtë, duke thënë se ajo mban pjesërisht përgjegjësi për krizën.

Por analistët thonë se trazirat pjesërisht pasqyrojnë dekada të tëra dështimi të qeverive si të majta edhe të djathta të Francës, për të integruar në jetën e vendit imigrantët dhe fëmijët e tyre.

XS
SM
MD
LG