Lidhje

10-vjet pas Marrëveshjes së Deitonit: Problemet dhe mundësitë e Bosnjes


Në nëntor Bosnja do të përkujtojë 10-vjetorin e Marrëveshjeve të Dayton-it që sollën paqen dhe përvijuan kornizën kushtetuese. Por për shumë vëzhgues, traktatit, ka vite që i ka kaluar koha. Madje, për konsolidimin e ndarjeve etknike që kanë penguar përparimin e Bosnjë-Hercegovinës, disa kritikë ua vënë fajin pikërisht këtyre marrëveshjeve. Materiali i hedh një vështrim më të hollësishëm problemeve dhe mundësive të Bosnjës.

Dhjetë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Daytonit, shumë vëzhgues thonë se rezultatet kanë qenë pozitive dhe jo-pozitive. Siguria e brendshëme e Bosnjës është stabilizuar, pjesa më e madhe e infrastrukturës së vendit është rindërtuar dhe shumë nga refugjatët boshnjakë janë kthyer. Por shumë analistë mendojnë se Bosnja është ende larg ripërtëritjes së plotë.

Sipas kushtetutës së përvijuar në Dayton, Bosnja sot është e ndarë në dy pjesë me baza etnike, Federata Myslimano-Kroate dhe Republika Serbe e Bosnjës, secila me qeveri, presidenti dhe parlament të vetin, ndërkohë që një autoritet qendror i dobët mbikqyr të dyja pjesët.

Zyrtari më i lartë ndërkombëtar është Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian i cili ka kompetencën t’u vejë veton ligjeve të miratuara nga parlamentet vendore dhe në rast nevoje, të shkarkojë politikanë që bëjnë shkelje. Dhe objektivi është që Bosnja të përfshihet në komunitetin evropian. Por edhe pas një dhjetëvjeçari në paqe e miliarda dollarësh ndihma nga perëndimi, Bosnja vuan nga rritja e ngadaltë ekonomike, papunësia e lartë dhe korrupsioni i kudondodhur. Shumica e vëzhguesve argumentojnë se përparimi i ngadaltë në Bosnje rrjedh pjesërisht nga Marrëveshja e Daytonit.

Janush Bugajski, Drejtor në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington argumenton se marrëveshja pengon zhvillimin demokratik. “Duke hedhur vështrimin prapa, problemi në Marrëveshjen e Daytonit qendron në strukturën e dokumentit, e cila i ndërlikoi aq shumë gjërat sa nuk i dha kompetenca të mjaftueshme qeverisë qendrore. Marrëveshja krijoi dy njësi, duke lënë njëkohësisht të paqartë marrëdhëniet që do të kishin këto dy njësi me njëra-tjetrën,” thotë analisti.

Zoti Bugajski shton se lëshimet e bëra nga myslimanët, serbët dhe kroatët e Bosnjës në Dayton në lidhje me autonominë lokale dhe ndarjen e pushtetit sollën një sistem jofunksional qeverisjeje që kërkon mbikqyrje ndërkombëtare me kosto të lartë.

Por Daniel Server, Drejtor i Nismës për Ballkanin në Institutin Amerikan të Paqes, argumenton se rezultati jo i përkryer që u arrit në Dayton, i cili i angazhoi të tre grupet kryesore etnike në Bosnjë, ishte më mirë se të mos arrihej marrëveshje. “Marrëveshjet e Daytonit konsoliduan të drejtat e grupeve etnike në kushtetutën e vendit përmes rrugësh që ndihmonin partitë nacionaliste të qendronin në pushtet. Kjo nuk duhet të shkaktojë çudi, pasi partitë nacionaliste, të përfaqësuara në bisedimet e Daytonit, na tregonin ç’të përfshinim në marrëveshjen që më pas ne ua impunuam. Disa nga të drejtat për grupet etnike ishin të nevojshme për t’i dhënë fund luftës. E dimë gjithashtu se të hartosh një kushtetutë në Dayton të Ohio-s për një vend ballkanit, nuk është mënyra më e mirë. Rruga më e mirë të shkruash një kushtetutë për një shoqëri pas konfliktit është vetë ky vend në një proces ku të marrin pjesë të gjithë,” thotë analisti Serwer. Zoti Server vë në dukje se kontributi nga jashtë në misionin paqeruajtës dhe ndihma ekonomike në Bosnjë ka rënë vazhdimisht gjatë viteve të fundit.

Por, sipas historianit, Charles Ingrao, të universitetit Perdue në shtetin e Indianës, përparimi pengohet nga aspiratat e kundërta ndërmjet grupeve kryesore etnike. Ai thotë se është koha që boshnjakët të rihartojnë kushtetutën e tyre me theks më të madh tek të drejtat e qytetarit dhe jo tek të drejtat e grupeve etnike, me qelllim që Bosnja të afrohet edhe më tej me pjesën tjetër të Evropës. “Njerëzit në rajon duhet ta kuptojnë se Daytoni shërbeu për një qëllim madhor. Tani, pas 10 vjetësh, ata duhet të përpiqen për një kushtetutë të re e cila do t’u hapë perspektiva më të gjera. Burra shteti të përgjegjshëm e pranojnë se nacionalizmi është diçka që nuk do të lëshojë pe dhe jo të thjeshtojë integrimin e tyre në atë zonë më të gjerë të tregëtie të lirë siç është Bashkimi Evropian”.

Profesor Ingrao thotë se një masë e rëndësishme në këtë drejtim është shtypja e ektremizmit. Ai thotë se shembulli më flagrant i dështimit në këtë drejtim është fakti që të dyshuarit kryesorë për krime lufte nuk janë nxjerrë ende para drejtësisë.

Shumica e vëzhguesve janë të një mendjeje se nuk ka zgjidhje të shpejta e të thjeshta për Bosnjën dhe në fund të fundit projektimi i së ardhmes së rajonit varet nga vetë njerëzit. Pikërisht për këtë, Shtetet e Bashkuara do të thërrasin një takim të udhëheqësve politikë të Bosnjës muajin tjetër në Washington me rastin e 10-vjeçarit të Marrëveshjes së Daytonit, si edhe për t’i inkurajuar udhëheqësit të pranojnë masa kushtetutore për një qeveri qendrore me fuqi më të mëdha e më të bashkuar.

XS
SM
MD
LG