Lidhje

Drejtuesit e disa kompanive të mëdha të naftës do të dëshmojnë në Senat rreth fitimeve të tyre rekord


Javën e ardhshme, drejtuesit kryesorë të disa prej kompanive më të mëdha të naftës do të dalin para senatit amerikan për t’u përgjigjur rreth fitimeve rekord të industrisë së tyre. Në Kongres duket se po merr formë ideja për të vënë në zbatim një taksë të re për fitimet e industrisë së naftës për të ndihmuar amerikanët e varfër të paguajnë faturat e tyre për ngrohjen gjatë dimrit që po rriten çdo ditë më shumë.

Ndërsa çmimet e naftës arritën rekorde të reja këtë vit në Shtetet e Bashkuara, kompanitë e naftës gjithashtu arritën fitime rekord. Shumë konsumatorë janë të pakënaqur.

“Mendoj se është gabim. Por duart i kemi të lidhura. Çfarë mund të bëjmë? Duhet të blejmë karburant.”- thote një konsumator.

Për 3-mujorin e tretë me radhë të këtij viti, firma Exxon Mobil deklaroi një fitim prej afro 10 miliardë dollarësh. Royal Dutch / Shell fitoi mbi 9 miliardë dollarë, ndërsa Chevron fitoi rreth tre miliardë a gjysëm dollarë. Kritikët, duke përfshirë edhe mbrojtësen e komsumatorëve Anna Aurilio, ia vënë fajin grykësisë së korporatave.

“Ajo që po ndodh është se kompanitë e naftës po fitojnë nga fatkeqësi të tilla si uragani Katrina dhe u qesh buza kur shkojnë në bankë.”- thotë mbrojtësja e konsumatorëve.

Ndërsa kritikat ndaj tyre po shtohen, kompanitë e naftës po luftojnë duke thënë se fitimet e tyre nuk janë më të mëdha se ato të industrive të tjera. Për të justifikuar fitimet rekord ato gjithashtu fajësojnë ndërprerjet e furnizimeve me naftë të shkaktuara nga uraganët Katrina dhe Rita të cilat i çuan çmimet e naftës bruto mbi 70 dollarë për fuçi. Rayola Dougher nga Instituti American i Naftës thotë:

“Këto fitime erdhën për shkak të ofertës relativisht të ulët të dhe kërkesës së lartë të konsumatorëve. Ky ishte pikërisht shkaku i ngritjes së çmimeve.”

Megjithëse çmimet janë ulur ndjeshëm duke u krahasuar me një muaj më parë, konsumatorët janë të zemëruar dhe anëtarët e të dy partive në Kongres kërkojnë përgjigje. Javën e ardhëshme një komision i Senatit do të hetojë akuzat e ngritura kundër kompanive të naftës lidhur me ngritjen artificiale të çmimeve. Gjithashtu në rritje është edhe mbështetja për vendosjen e një takse të re ndaj kompanive të naftës. Ndërkohë kompanitë e naftës i cilësojnë si të nevojshme fitimet. Bob Lenzner, redaktor i revistës Forbes thotë:

Të ardhurat do të përdoren për të riinvestuar në kërkim të burimeve të reja të naftës në vende ku kërkimet janë të kushtueshme.”

Administrata e presidentit Bush kundërshton taksat e reja në industrinë e naftës dhe kërkon që të rriten shpimet në det si dhe krijimin e një rezerve kombëtare të emergjencës me benzinë dhe gaz natyror.

XS
SM
MD
LG