Lidhje

Përkrahja e publikut për presidentin Bush shënon nivele të reja të ulëta.


Dy anketime të reja të zhvilluara gjatë ditëve të fundit, tregojnë se përkrahja për presidentin Bush ka shënuar nivele të reja të ulëta.

Një anketim i zhvilluar nga gazeta Washington Post dhe një nga rrjeti televiziv ABC tregojnë se mbështetja për presidentin Bush është në shifrat 39 për qind. Ndërsa një tjetër anketim i zhvilluar dy ditë më parë nga rrjeti televiziv CBS News tregon se mbështetja për Presidentin ka rënë në 35 për qind. Veç kësaj, 58 për qind e të anketuarve nga Washington Posti dhe ABC thanë se e venë në pikëpyetje integritetin e Presidentit. Presidentin Bush e pyetën për këtë çështje gjatë vizitës së tij në Argjentinë.

"Unë e kuptoj se disa preokupohen për anketimet. Kjo është ndoshta konferenca e katërt, ose e pestë e shtypit njëra pas tjetrës, që unë pyetem lidhur me anketimet."-tha Presidenti.

Mënyra për të fituar besueshmërinë e popullit amerikan është caktimi i një programi të qartë, të cilin ta kuptojë gjithëkush, një program që të lidhet me jetën e tyre dhe që në të njëjtën kohë të kryhet edhe puna.

Shifrat e anketimeve nuk ishin aspak të paprituara për shumë analistë, të cilët thonë se imazhi i Presidenti Bush është dëmtuar nga shqetësimet në rritje të publikut për viktimat në Irak, çmimet e naftës brenda vendit, nga përgjigja ndaj uraganit Katrina, nga dështimi i kandidaturës për në Gjykatën e Lartë të zonjës Harriet Myers dhe nga aktpadia kriminale ndaj Lewis Libbit, një nga ish-ndihmësit kryesorë të Nënpresidentit Dick Cheney.

Demokratët e opozitës janë përqëndruar tani tek aktapdia ndaj zotit Libi, e cila erdhi si rezultat i hetimeve për nxjerrjen e identitetit të agjentes së CIA-s Valerie Plame. Zoti Libi tha se është i pafajshëm dhe nuk i pranoi akuzat për mashtrim, apo se është përpjekur t’u japë informacione të gabuara hetuesve lidhur me bisedat që pati me gazetarët për statusin e agjentes së CIA-s, Valerie Plame. Zonja Plame është gruaja e ish-ambasadorit amerikan Joseph Wilson, që e ka akuzuar presidentin Bush për manipulim të informacioneve të zbulimit mbi Irakun në mënyrë që të justifikonte ndërhyrjen ushtarake në këtë vend.

Shtëpia e Bardhë i mohon këto akuza. Ligjvënësit demokratë po kërkojnë një hetim më të gjërë lidhur me dështimet e zbulimit në Irak. Mes tyre, edhe kryetari i kësaj partie, Howard Dean, që dha një intervistë në televizionin MSNBC:

"Sinqerisht, gjithshka filloi për shkak të luftës në Irak. Presidenti nuk tha në vërtetën në fillim të luftës. Tashmë e dimë këtë gjë. Pastaj u goditën njerëzit që sollën fakte për të treguar se ai nuk kishte treguar të vërtetën, siç ishte dhe ambasadori Wilson. "-tha zoti Dean.

Disa nga aleatët republikanë të Presidentit në Kongres thonë se zoti Bush ka kohë të mjaftueshme për ta ndryshuar rezultatin negativ të anketimeve gjatë tre vjetëve të ardhshëm të mandatit të tij presidencail. Një prej tyre është edhe senatori republikan nga shteti i presidentit, Teksasi, John Cornyn. Ja si u shpreh ai në një intervistë për televizionin ABC:

"Mendoj se Presidenti ka tani një rast të mirë, pas një jave jo të mirë për të, për t’i ndryshuar gjërat dhe për të treguar përse populli e rizgjodhi atë një vit më parë."- thotë senatori.

Analistët politikë sugjerojnë se Presidenti duhet të bëjë disa ndryshime të ekipit të këshilltarëve gjatë kohës që i ka mbetur për mandatin e tij të dytë dhe se duhet ta rifokusojë programin e tij me shpresën për të rifuar një pjesë të mbështetjes së publikut, të cilën e ka humbur.

Por Presidenti Bush u tha gazetarëve në Argjentinë se përparësia e tij mbetet lufta kundër terrorizmit dhe gjendja në Irak:

"Tani ne jemë në mesin e luftës kundër ndaj terrorizmit. Administrata po punon me miqtë dhe aleatët tanë për gjetjen e këtyre terroristëve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë, para se ata të na godasin. Ne në Irak po luftojmë kundër terroristëve."

Ndërkohë, demokratët po punojnë për rekrutimin e kandidatëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm për në Kongres, duke shpresuar për të përfituar nga ritmet e ulëta të nivelit të përkrahjes për Presidentin.

XS
SM
MD
LG