Lidhje

Francë : Vdes viktima e parë e protestave të dhunshme


Franca përjetoi dje mbrëmjen më të rëndë që nga fillimi i trazirave, rreth dy javë më parë. Sot vdiq edhe viktima e parë e protestave të dhunshme. Autoritet thanë se viktima ishte një burrë që u godit të premten nga dhuna dhe që qëndroi në gjendje kome nga ajo ditë deri në momentin e vdekjes.

Mbrëmë protestuesit u vunë zjarrin më tepër se 1 mijë e 400 makinave dhe plagosën dhjetra policë. Rreth 400 persona u arrestuan. Trazirat u bënë edhe më të dhunshme pasi Presidenti francez Zhak Shirak u zotua se do të vendosej rregulli dhe se personat e përfshirë në protesta do të ndëshkoheshin.

Analistët thonë se protestat e dhunshme janë shprehje e kundërshtimit të të rinjve me ngjyrë ndaj racizmit dhe nivelit të lartë të papunësisë. Por Ministri i Jashtëm francez Filip Dust-Blazy u tha sot homologëve të tij në Bashkimin Evropian se vendi i tij nuk është i rrezikshëm dhe as racist.

Trazirat filluan më 27 tetor në periferi të Parisit, pas vdekjes aksidentale të dy adoleshentëve nga Afrika Veriore, për të cilët u tha se po përpiqeshin t’i fsheheshin policisë.

XS
SM
MD
LG