Lidhje

Lavrov: Zgjidhja e çështjes së Kosovës të arrihet me marrëveshje dhe jo me imponim


Rusia mbështet atë zgjidhje për Kosovën, e cila do të merrte parasysh interesat afatgjata të njerëzve që jetojnë dhe që kanë jetuar në Kosovë. Ky është qëndrimi që shprehu sonte në Prishtinë ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili theksoi gjithashtu se nëse bëhet kjo, atëherë mund të shpresohet në një përfundim të pranuar në mënyrë të ndërsjellë të procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot në Prishtinë, pas takimeve me zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të bëhet duke u bazuar në interesat afatgjata të njerëzve që jetojnë dhe që kanë jetuar në Kosovë.

“Të gjithë duhet të udhëhiqemi nga interesat afatgjata të njerëzve që jetojnë këtu dhe që jetonin këtu, dhe nëse përqëndrohemi në këto detyra, mendoj se mund të shpresojmë për një përfundim të pranuar në mënyrë të ndërsjellë të këtij procesi”.

Bisedimet duhet të shkojnë bashkë me plotësimin e standarteve, tha zoti Lavrov, i cili vlerësoi gjithashtu rolin shumë të rëndësishëm të UNMIK-ut dhe bashkëpunimin e këtij misioni me të dërguarin e posacëm të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari.

“Mendoj se Këshilli i Sigurimit vendosi ta vëzhgojë nga afër gjendjen dhe nëse është e nevojshme do të marrë në shqyrtim hapa shtesë”.

Ministri i Jashtëm rus hapi sot zyrtarisht konsullatën ruse në Prishtinë.

“Ky është manifestim i interesit të Rusisë për të ndihmuar në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të stabilizuar Ballkanin dhe sigurisht zgjidhja e çështjes së Kosovës është një nga çështjet kyçe në këtë pikëpamje”.

Ministri i Jashtëm rus përfundon sonte vizitën e tij në Prishtinë. Ai vizitoi gjithashtu Beogradin ku kërkoi që zgjidhja e çështjes së Kosovës të arrihet me marrëveshje dhe jo me imponim, sic u shpreh ai.

XS
SM
MD
LG