Lidhje

Presidenti Bush: SHBA janë këmbëngulëse në luftën anti-terroriste, por nuk kryejnë tortura


Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë këmbëngulëse në përpjekjet e tyre anti-terroriste, por nuk kryejnë tortura.

Gjatë fjalimit të mbajti në Panama, presidenti tha se Shtetet e Bashkuara e kanë për detyrë të mbrojnë popullin amerikan, por shtoi se të gjitha përpjekjet për të parandaluar komplotet terroriste kryhen në përputhje me ligjin.

Zoti Bush po komentonte lidhur me metodat që përdorin forcat amerikane për të marrë në pyetje persona të dyshuar si terroristë, pasi media amerikane njoftoi javën e kaluar se CIA ka objekte sekrete paraburgimi në Evropën Lindore.

Sot gazeta Washington Post njoftoi se nënpresidenti amerikan Dick Cheney është përpjekur t’u presë rrugën përpjekjeve të Kongresit, Departamentit të Mbrojtjes dhe Departamentit të Shtetit për të vendosur rregulla më të rrepta mbi trajtimin e të dyshuarve për terrorizëm. Gazeta citon zyrtarë të paidentifikuar të Departamentit të Mbrojtjes, atij të Shtetit, agjencive të zbulimit dhe zyrtarë të Kongresit.

Zoti Cheney nuk ka bërë komente lidhur me këtë çështje. Në tetor Senati amerikan miratoi një masë që ndalonte përdorimin e masave mizore, çnjerëzore apo poshtëruese në trajtimin e kujtdo që mbahej në gjendje arresti nga forcat amerikane. Shtëpia e Bardhë është zotuar t’i vërë veton kësaj mase, nëse miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, duke thënë se ajo do të kufizonte aftësinë e presidentit për të zhvilluar luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG