Lidhje

Teknologji e re premtuese për ata që presin transplantimin e veshkës


Më tepër se 25 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara marrin çdo vit një ose më tepër organe të transplantuara, ndërkohë që numri i njerëzve që presin në listën për organe është aktualisht 90 mijë vetë. Por një firmë e Kalifornisë ka gjetur një metodë, që shihet si një zbulim tepër i rëndësishëm në mjekësi: një metodë për ruajtjen e organeve njerëzore, për t’u përdorur në të ardhmen.

Një veshkë miu, e mbajtur në ngrirje për tre muaj, në një solucion të prodhuar nga firma kërkimore Human Biosystems, ndoshta është çelësi për një jetë më të mirë për njerëzit që presin transplantimin e veshkës. Harry Masuda është presidenti i kompanisë. "Sa më gjatë që e ruajmë organin, aq më mirë mund të realizohet përshtatja me organizmin," thotë zoti Musaba.

Ai thotë se përderisa veshkat përbëhen kryesisht nga uji, ruajtja e qelizave të tyre gjatë ngrirjes, para transplantimit, ishte arsyeja kryesore për prodhimin e solucionit. "Të arrish të ngrish një organ në –80, ta transplantosh atë dhe të arrihet që kjo veshkë të prodhojë urinë, kjo është diçka e jashtëzakonshme."

Ky zbulim mund t’u vijë në ndihmë mijëra njerëzve çdo vit, që janë në listën e pritjes për transplantim të organeve. Shumica e tyre kanë nevojë për veshkë. Doktoresha Vivian Tellis, shefe e kirurgjisë së transplantimit të veshkave në Qendrën Mjekësore Montefiore, në periferi në Nju Jorkut, thotë se çdo 14 minuta listës së pritjes për transplantim i shtohet një njeri. "Për këtë arsye, nuk ka kohë të mjaftueshme për të manovruar me organet që transplantohen, për t’i përshtatur ato sipas organizmave të veçantë... Kjo pjesërisht edhe nga fakti se organet e dhuruara nuk rezistojnë për një kohë të gjatë në kushtet e teknologjisë së sotme, thotë mjekja.

Mesatarisht, çdo ditë në Shtetet e Bashkuara vdesin 17 pacinetë, në pritje për transplantimin e një organi, gjë që i ka detyruar shumë dhurues dhe familjet e tyre të gjejnë mënyra krijuese komunikimi nëpërmjet njoftimeve, shoqatave për krijimin e fondeve dhe kërkesave për organe në Internet. Doktor Robert Truog është Specilist i Etikës në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Harvardit. "Faqet kompjuterike janë plot me informacione të pasakta lidhur me rreziqet dhe përfitimet e transplantimit."

Doktor Lewis Teperman i Qendrës Mjekësore në Univesritetin e New Yorkut thotë se përdorimi i medotës një dhurues një pacient nuk u vjen në ndihmë atyre që presin në listën për transplantim organesh. "Sa më i sëmurë të jesh, aq më të pakta janë mundësitë për të jetuar, pra aq më e madhe është mundësia për transplantimin e një organi," thotë Dr. Teperman.

Ndërsa numri i njerëzve që kanë nevojë për organe rritet me shpjetësi më të madhe se numri i organeve të transplantuara, lajmi i mirë është se personat që marrin organe të transplantuara po jetojnë më gjatë se pacientët me organe të transplantuara një dekadë më parë.

XS
SM
MD
LG