Lidhje

Nikolas Bërns: shqiptarët të lenë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të respektojnë të drejtat e serbëve


Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të Kosovës që të lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe personale tani që bisedimet për statusin përfundimtar do të fillojnë. Ai i bëri komentet gjatë një seance të zhvilluar në komisionin e punëve të jashtëme të Senatit amerikan ku dëshmoi edhe ish diplomati Richard Holbrooke. Thuajse të gjithë senatorët e pranishëm në seancë shtruan me forcë çështjen e respektimit të të drejtave të pakicës serbe në Kosovë si element me rëndësi në përcaktimin e statusit të ardhshëm.

Nënsekretari i Shtetit Nickolas Bërns, i cili ka drejtuar deri tani përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të vënë në lëvizje procesin e përcaktimit të statusit, tha se ka rëndësi qe Uashingtoni dhe aleatët e tij të mbeten neutralë në qendrimin e tyre për çështjen e statusit sepse e ardhmja e Kosovës tha ai, është përgjegjësi vetëm e shqiptarëve dhe serbëve që jetojnë atje si dhe e qeverisë se Sërbisë e Malit të Zi.

Por rezultati përfundimtar i bisedimeve që pritet të fillojnë pas disa javësh, tha zoti Bërns, duhet të respektojë faktin bazë se 90 përqind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarë, të cilët u trajtuan mizorisht nga qeveria e Sllobodan Millosheviçit.

Gjithashtu, tha numri tre i Departamentit të Shtetit, popullsisë serbe të Kosovës duhet t’i jepen siguri se ajo do të ketë një të ardhme dhe se kishat dhe objektet e saj kulturore do të respektohen.

Siç ndodh në çdo proces negociatash, tha nënsekretari Bërns, asnjëra palë nuk merr çdo gjë që dëshiron. Për të arritur një rezultat të qendrueshëm, tha ai, palëve do t’u kërkohet ndonjëherë që të bëjnë kompromise.

Zoti Bërns tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë vendosur rreth disa parimeve të cilat duhet të përcaktojnë procesin e negociatave: se kthimi në situatën para vitit 1999 është i paprtanueshëm; se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ekzistues të Kosovës dhe se nuk do të ketë ndarje të saj.

Parime të tjera për arritjen e zgjidhjes, tha ai, janë respektimi i plotë i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore të pakicave. Grupi i Kontaktit, tha ai, ka rënë dakord që të përjashtojë nga procesi ata elementë që predikojnë dhunën. Pasi të ketë filluar, tha nënsekretari i shtetit, procesi i statusit duhet të vazhdojë pa ndërprerje.

Zoti Bërns u bëri kritika të forta udhëheqësve shqiptarë në Kosovë dhe u kërkoi atyre të lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe personale. Nëse shqiptarët e Kosovës aspirojnë pavarësinë, tha ai, ky është rasti i tyre më i mirë për t’i treguar botës se përse ata duan të jenë të pavarur. Pavarësia, tha zoti Bërns, duhet të jetë e merituar.

Nënsekretari i shtetit u bëri gjithashtu thirrje shqiptarëve të jenë të gatshëm për kompromis. Ai tha se përparimi i bërë në Maqedoni në zgjidhjen e shqetësimeve të shqiptarëve mund të shërbejë si shembull për mënyrën se si Kosova do t’i zgjidhë shqetësimet e ngjashme që kanë serbët dhe pakicat e tjera.

Shqiptarët e Kosovës, tha zoti Bërns, duhet të veprojnë qysh tani për të krijuar një mjedis pozitiv për bisedimet mbi statusin. Ata duhet të bindin komunitetin ndërkombëtar se pakicat në Kosovë do të kenë një të ardhme të sigurt nëse Kosova bëhet e pavarur. Do të ishte një ironi tragjike, tha ai, nëse vetë shqiptarët përpiqen tani të ndjekin një politikë të hakmarrjes dhe frikësimit ndaj serbëve.

Lidhur me serbët e Kosovës, mesazhi i zotit Bërns ishte se ata duhet të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Serbët, theksoi ai, më kanë thënë se do të parapëlqenin autonomi lokale për veten e tyre. Por duke refuzuar të marrin pjesë në zgjedhje dhe në parlament, ata po humbasin rastin për të thënë fjalën e tyre për të ardhmen e Kosovës. Komuniteti serb, tha zoti Bërns, po e humbet ndikimin politik në Kosovë dhe bilanci flet për një largim të serbëve nga Kosova më tepër se sa për një kthim të tyre. Beogradi, tha ai, mund t’i mbrojë më mirë interesat e serbëve duke i inkurajuar ata të marrin pjesë në jetën politike.

Zoti Bërns tha gjithashtu se ende nuk është e qartë se cili do të jetë konfigurimi i bisedimeve për statusin. Njëra palë, tha ai, është pala shqiptare por ajo nuk është e unifikuar në qendrimet e saj. Pala tjetër është Beogradi, por nuk është e qartë nëse serbët e Kosovës mund të jenë palë në bisedime dhe në ç’formë mund të jenë.

Arkitekti i Marrëveshjeve të Daytonit, Richard Horlbrooke, i cili gjithashtu dëshmoi në seancë, tha se nuk mund të shikojë një status tjetër për Kosovën përveç pavarësisë, por kjo, theksoi ai, nuk mund të arrihet pa garanci të hekurta për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe. Pavarësia, tha zoti Holbrooke nuk mund të vijë për të zëvendësuar njërën formë të shtypjes me një tjetër.

Çfarëdo që të ndodhë, tha zoti Holbrooke, në Kosovë do të jetë e nevojshme të qendrojë një forcë sigurie dhe kjo forcë duhet të përfshijë patjetër trupa amerikane.

Zoti Holbrooke tha se synimi afatgjatë duhet të jetë intergrimi i plotë në një Evropë të unifikuar i krejt Ballkanit, përfshirë Serbinë, Bosnjen, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kroacinë. Asgjë tjetër nuk do të bënte më shumë për zgjerimin drejt Lindjes të zonës së lirisë dhe demokracisë, një nevojë historike e përparësisë së lartë.

Nga ngjarje të tilla, tha ai, rajonit mund t’i vijnë përfitime të mëdha ekonomike.

Richard Lugar, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se ngushtimi i distancës diplomatike midis shqiptarëve dhe serbëve të cilët kanë qendrime të ndryshme për çështjen e statusit, do të kërkojë kompromis midis palëve si dhe një angazhim të vazhdueshëm nga ana e komunitetit ndërkombëtar dhe e Shteteve të Bashkuara.

Nënkryetari i komisionit, senatori Xhozef Bajden, tha se një formë pavarësie për Kosovën është e vetmja zgjidhje që do të lejojë qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë të realizojnë një të ardhme qendrueshmërie dhe moderniteti.

Senatorët Xhorxh Voinovich dhe Pol Sarbejns shprehën shqetësim për gjendjen e pakicës serbe dhe bënë pyetje të hollësishme lidhur me garancitë që duhet të ketë pakica serbe në Kosovë. Senatori Voinovich tha se Kosova vazhdon të jetë e pasigurt për pakicat dhe ekziston një mundësi shumë reale që dhuna të fillojë përsëri.

Ai shprehu shqetësimin për faktin që të dyja palët po hyjnë në bisedime me kërkesa maksimaliste. Si rrjedhojë, tha ai, popullatat e të dyja palëve nuk janë të përgatitura për asgjë më pak se aq dhe kjo mund të krijojë kushtet për trazira si dhe për ata njerëz që besojnë se mbështetja tek dhuna mund të sjellë atë rezultat që nuk mund ta sjellin dot negociatat.

XS
SM
MD
LG