Lidhje

Thaçi: Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës - kompromis për qytetarët e saj


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Riçard Hollbruk dhe disa senatorë amerikanë komentuan dje për Kosovën në seancën e zhvilluar në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit. Zoti Burns u bëri thirrje shqiptarëve t'i lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe personale tani që do të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. Por cilat jane reagimet e pales kosovare per keto kritika? Për të biseduar për këto çështje Zëri i Amerikës intervistoi për emisionin “Ditari” zotin Hashim Thaçi, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe pjesëtar i grupit negociator për statusin.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, cili do të ishte komenti juaj për tonin kritik të Nënsekretarit Burns ndaj udhëheqësve shqiptarë?

Hashim Thaçi: Unë fillimisht dua të përshëndes angazhimet e zotit Nik Bërns për procesin e negociator të Kosovës, si përfaqësue i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qëndrimet e ambasadorit Hollbruk që u prezantuan dje. Unë mendoj se mendimet se zotit Nik Bërns janë të vullnetit të mire, por dua të theksoj se në ekipin negociator të Kosovës ka ndodhur progress substancial, janë dëgjuar mendime interesante, produktive, është ndërtuar një unitet i qëndrueshëm, e në të njëjtën kohë e ritheksoj, ky grup negociator ka formuar ekipin politik, që do të merret me çështje politike; por në të njëjtën kohë, Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë një domethënie të veçantë këtij progresi me prezantimin e platformës së saj për shtetin e pavarur dhe sovran.

Zëri i Amerikës: Dje grupi negociator ka zhvilluar një mbledhje pune. A u mund të thuhet se janë kapërcyer, apo sheshuar mosmarrëveshjet dhe me çfarë kanë të bëjnë ato konkretisht?

Hashim Thaçi: Unë besoj se çdo lider politik do të ngrihet mbi vetveten, mbi interesat partiake, do të fokusohet më tepër për statusin politik, do të investojë në unitet, në qëndrime të përbashkëta; natyrisht, që do të ketë opinione të ndryshme dhe alternativa të ndryshme, por unë jam optimist se gjërat do të ecin në binarë të drejtë dhe do të kemi një reflektim shumë më pozitiv, një bashkim të energjive positive prej të gjitha partive politike të Kosovës; do të kemi një plotësim të vizionit për shtetin e pavarur dhe sovran, sipas platformës që e ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës. Kështuqë, unë jam oprimist për punën e mëtejshme të kosovarëve për zgjidhjen e statusit politik.

Zëri i Amerikës: Në mbledhjen e djeshme ju, siç thatë, keni dorëzuar një platformë, ku kërkoni që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe që të drejtat e pakicave të mbrohen me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Pse me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare? A nuk janë shqiptarët të aftë për ta bërë vetë këtë?

Hashim Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës është partia e parë dhe e vetmja që ka prezantuar platformën për vizionin e shtetit të pavarur dhe sovran. Platforma që i kam prezantuar dje ekipit negociator është koncepti politik i PDK-së, që buron nga vullneti i të gjithë qytetarëve të Kosovës; por edhe ne si shumicë shqiptare duhet t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë, për t’i siguruar dhe garantuar të drejtat e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, qoftë të serbëve dhe malazezëve, të boshnjakëve, apo të të tjerëve, sepse ne pretendojmë të ndërtojmë një shtet qytetar që punon drejt krijimit të një identiteti shtetëror dhe që të gjithë qytetarët të jenë shtetas të Kosovës dhe të gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta. Pra, nuk do të pretendojmë të ndërtojmë pavarësi vetëm për një popullsi etnike, por pavarësi të plotë të Kosovës, për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Si në çdo proces negociatash, asnjëra palë nuk merr atë që dëshiron, pra nevojitet një kompromis për arritjen e një marrëveshjeje. Cilat mendoni se mund të jenë konkretisht disa nga kompromiset që mund të bëjnë të dyja palët?

Hashim Thaçi: Fillimisht dua të theksoj se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është kompromis për qytetarët e Kosovës. Do të negociojmë për të gjitha çështjet që janë për t’u negociuar, si të drejtat e minoriteve, që të krijohen të gjitha kushtet që ata të integrohen në institucione dhe shoqëri; dhe në anën tjetër, të punohet dhe të diskutohet për reformimin e pushtetit lokal në përputhshmëri me standartet ndërkombëtare; të punohet edhe më tepër për sigurimin dhe garantimin e të drejtave kulturore dhe historike të të gjitha minoriteteve, përfshi edhe të serbëve. Në këtë drejtim, unë besoj se është mjaft me rëndësi, që të kemi dhe përkrahjen, të kemi më afër, në bashkëpunim, edhe bashkësinë ndërkombëtare, sepse investimet tona për lirinë e Kosovës kanë qenë të përbashkëta, investimet për ndërtimin e paqes kanë qenë të përbashkëta, dhe unë jam shumë optimist se bashkëpunimi mas Prishtinës dhe ndërkombëtarëve edhe me faktorët e tjerë, do të jetë shumë i rendësishëm. Në veçanti, do të jenë shumë i rendësishëm bashkëpunimi i mire, për të patur sukses të përbashkët; dhe unë jam optimist se suksesi do të jetë i përbashkët në ndërtimin e Kosovës së pavarur e të zhvilluar ekonomikisht.

XS
SM
MD
LG