Lidhje

Grupi i Kontaktit paraqet parimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Në Kosovë, administrata ndërkombëtare tha sot se pesë parimet e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e cështjes së Kosovës janë vetëshpjeguese dhe nuk kanë nevojë për koment. Një zëdhënës i kësaj administrate tha se ajo që pritet tani është që Prishtina dhe Beogradi të angazhohen fuqishëm në process.

Grupi i Kontaktit për Kosovën u ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, Këshillit të Sigurimit, Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd pesë parime bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në të cilat thelbi është se përparësi e bashkësisë ndërkombëtare do të jetë zgjidhja për Kosovën e arritur përmes bisedimeve.

Administrata ndërkombëtare në Kosovë tha sot se këto parime janë vetë-shpjeguese dhe nuk kanë nevojë për koment. “Ajo që është e rëndësishme është se është një proces i qartë politik dhe është e qartë se Grupi I Kontaktit, Bashkimi Evropian, dhe të gjithë lojtarët ndërkombëtarë kanë treguar gadishmëri shumë të madhe për t'u angazhuar dhe për synimin për tu angazhuar në këtë process.

Sekretari i Përgjithshëm ka emëruar të dërguarin e posacëm për bisedimet për statusin dhe ne presim që Prishtina dhe Beogradi të angazhohen fuqishëm në process. Kjo është ajo që kemi përpara vetes”. Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jesen Pëtersen, do të presë nesër në mbrëmje në rezidencën e tij në Prishtinë grupin negociator të Kosovës për të biseduar lidhur me angazhimet dhe arritjet në përgatitjet për fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Grupi negociator i Kosovës ka miratuar Grupin Politik, i cili duhet të hartojë Platformën politike për Kosovën, shtet të pavarur dhe Sovran. Partia Demokratike e kryesuar nga Hashim Thaci, ka paraqitur një propozim të saj për platformën politike të palës shqiptare në këto bisedime.

XS
SM
MD
LG