Lidhje

Jordani: Mbreti Abdullah zotohet të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për sulmet në Aman


Mbreti Abdullah i Jordanisë thotë se vendi i tij do t’i sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për sulmet vdekjeprurëse në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, ku gjetën vdekjen 56 vetë dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë.

Mbreti tha sonte në një intervistë në televizionin kombëtar se Jordania mbetet e përkushtuar për të luftuar terrorzimin pas sulemve vdekjeprurëse thuajse në të njëjtën kohë në tre hotele të kryeqytetit.

Po sot, më parë, jordanezët dolën nëpër rrugë për të protestuar kundër bashkëkombasit të tyre Abu Musab al-Zarqawit, që ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Pretendimi i Abu Musab al-Zarkauit nuk mund të vërtetohej menjëherë, por zëvendës kryeministri Marwan Muasher tha se ai është i dyshuari kryesor. Ai shtoi se disa njerëz janë ndaluar dhe po merren në pyetje. Zyrtarët qeveritarë thanë se shumica e viktimave ishin jordanezë, por janë identifikuar edhe të paktën 12 të huaj, mes tyre edhe një amerikan.

Udhëheqës botërorë dënuan sulmet e djeshme terroriste në tre hotele në Jordani.

Presidenti Bush tha sot se autorët e shpërthimit hedhin baltë ndaj një feje tepër të nderuar dhe se bota e ka për detyrë t’i nxjerrë anëtarët e al-Kaidës para drejtësisë. Zoti Bush i telefonoi Mbretit të Jordanisë, Abdullah, për t’i shprehur ngushëllimet e tij.

Lidhja Arabe dhe Këshilli për Bashkëpunim në Gjirin Persik i dënoi me forcë shpërthimet. Këshilli tha se akte të tilla barbare janë në kundërshtim me vlera fetare dhe njerëzore. Këshilli për Bashkëpunim në Gjirin Persik përsëriti gjithashtu qendrimin e tij kundër ekstremizmit, dhunës dhe terrorit. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pohoi përsëri nevojën për të luftuar terrorizmin, duke thënë se ai është një nga kërcënimet më serioze ndaj paqes dhe sigurimit në botë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, do të vizitojë nesër Amanin për t’u takuar me Mbretin Abdullah dhe personelin e OKB-së në Jordani.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, i quajti shpërthimet të pajustifikueshme dhe tha se terrorizmi është sulm kundër vlerave të pranuara prej të gjithëve ne, siç u shpreh ai.

Kina, e cila humbi tre shtetas të saj nga këto shpërthime, i dërgoi ngushëllime Mbretit Abdullah dhe tha se Pekini është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin me Jordaninë dhe bashkësinë ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin.

XS
SM
MD
LG