Lidhje

Tregimet e një veterani shqiptaro-amerikan


Amerikanët festojnë sot Ditën e Veteranëve, një festë kombëtare për të nderuar burrat dhe gratë që kanë shërbyer në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Ceremonia më e madhe në shkallë kombëtare zhvillohet në Varrezat Kombëtare të të Rënëve në Arlington të Virxhinias, fare pranë Pentagonit. Edhe shqiptaro-amerikanët nderojnë me këtë rast pjesëtarët e komunitetit të tyre që kanë qënë në radhët e ushtrisë amerikane. Isabela Çoçoli bisedoi këto ditë me bashkëkryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Veteranëve të Luftës, Ron Nasson.

Në letrat shqip dhe anglisht të komunitetet shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjen mjaft emra shiptaro-amerikanësh të mobilizuar në ushtrinë amerikane, dhe një pjesë e tyre kanë marrë pjesë edhe në luftrat e këtij vendi, duke filluar që nga Lufta e Parë Botërore.

Në numër më të madh ata morrën pjesë në Luftën e Dytë Botërore, por nuk munguan as në Luftën e Koresë, të Vietnamit, të Gjirit Persik dhe së fundi në Luftën e Irakut. Në Boston të shtetit Masaçusëts, shqiptaro-amerikanët kanë shoqatën e tyre të veteranëve të kryesuar nga Billi Kozmo dhe Ron Nasson. Zoti Nasson thotë se kjo shoqatë është mjaft aktive.

“Ne zakonisht mblidhemi dy herë në vit, një herë në verë dhe një herë Ditën e Veteranëve. Ne shkojmë në restorantin Pier 4, të Antoni Athanasit, diskutojmë përvojat tona, si të tërheqim në këtë organizatë shqiptaro-amerikanë të tjerë që kanë shërbyer në ushtrinë amerikane. Po ashtu, ne përpiqemi të ndihmojnë edhe shqiptarët që kanë ardhur rishtazi në Shtetet e Bashkuara si në aspektin humanitar ashtu edhe atë financiar”.

Ron Nasson ka qënë edhe vetë në ushtrinë amerikane. Ai tregon se në moshën 18 vjeçare u regjistrua në ushtri i ndikuar nga shembulli i shumë pjesëtarëve të komunitetit që u kishin shërbyer Shteteve të Bashkuara.

“Besoja se e kisha për detyrë dhe isha i mbushur me ndjenja patriotike. I rritur në vitet e Luftës së Dytë Botërore, gjithmonë i kam nderuar dhe respektuar veteranët tanë shqiptaro amerikanë”.

Ishte viti 1952, kur Ron Nasson u rregjistrua në marinën amerikane dhe shkoi me shërbim në Luftën e Koresë.

“Nuk kam kujtime të mira nga lufta. Por ajo që më ka lënë më shumë mbresë është se ne i shërbyem vendit me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe respekti”.

Dhe si në çdo luftë, një pjesë e atyre që morrën pjesë në Luftën e Koresë nuk u kthyen më. Disa nga ata që u kthyen nuk arritën kurrë të rintegrohen në shoqëri.

Ron Nasson patjetër që i ka parasysh këto raste kur flet për kujtimet e tij jo të mira nga lufta, megjithëse vetë ka një përvojë krejt tjetër. Pyetjes nëse në retrospektivë ka ndonjë ndjenjë pendese për pjesëmarrjen në luftë ai i përgjegjet prerazi jo.

“Jo. Në atë kohë mendoja se ajo ishte e drejtë, ne kishim udhëheqës të drejtë dhe i shërbenim një kauze të drejtë”.

Shqiptaro-amerikanët, thotë Ron Nasson, gjithmonë kanë kontribuar në ushtrinë amerikane dhe kanë marrë pjesë në luftërat e këtij vendi. Ai vlerëson lart edhe pjesëmarrjn vitet e fundit të ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë në Luftën e Irakut, si shprehje e miqësisë së popullit shqiptar për Shtetet e Bashkuara.

“Unë i vlerësoj dhe i respektoj ata për përqafimin e pishtarit të Amerikës, për përqafimin e kauzës së lirisë, të drejtave të njeriut, drejtësisë amerikane. Kanë kaluar dy vjet që kur ne shkuam atje dhe besoj se Iraku do të bëhet një vend demokratik dhe populli irakian do të ketë një jetë më të mirë”.

Shqiptaro-amerikanët nuk kanë kryer vetëm shërbimin e detyruar apo vullnetar ushtarak në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Disa prej tyre kanë patur një karierë të sukseshme si gjenerali Thomas Pochari dhe mjaft emra të tjerë.

XS
SM
MD
LG