Lidhje

Presidenti Bush: Dyshimet e demokratëve po dëmtojnë luftën në Irak


Presidenti Bush tha se demokratët e opozitës që po ngrenë dyshime mbi përdorimin nga ana e tij të informacioneve të zbulimit për Irakun para lufte, po dëmtojnë trupat amerikane që luftojnë kundër terrorizmit në vende të tjera.

Disa demokratë kanë kërkuar hetime mbi atë që e shikojnë si manipulime të presidentit me informacionet e zbulimit për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake amerikane.

Presidenti Bush tha se amerikanët mund të mos jenë dakort me luftën në Irak, por ai shtoi është e papërgjegjshme të përpiqesh të rishkruash historinë se si filloi lufta. Administrata e Presidentit Bush e pranon se gaboi në shumë prej pretendimeve rreth urgjencës që paraqiste rreziku i armëve kimike, biologjike dhe bërthanmore të Irakut. Ky ishte edhe justifikimi kryesor për rrëzimin e Sadam Huseinit. Por asnjë prej këtyre armëve nuk u gjet.

Ndërsa presidenti Bush thotë se e pranon përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në Irak, ai i hedh poshtë akuzat se ai i keqpërdori qëllimisht kërcënimet që vinin nga Iraku, për të bindur opinionin për nevojën e ndërhyrjes ushtarake. “Disa demokratë dhe veprimtarë kundër luftës thonë tani se ne e manipuluam informacionin e zbulimit dhe e keqinformuam popullin amerikan rreth arësyes së ndërhyrjes ushtarake. Këta kritikë janë plotësisht të ndërgjegjshëm se një komision dy-partiak në Senat, nuk gjeti asnjë të dhënë gjatë hetimeve, se agjencive të zbulimit u ishte bëre presion për të ndryshuar vlerësimin e tyre mbi programin e armëve të shkatërrimit në masë të Irakut.

Në një fjalim me rastin e Ditës së Veteranëve, Presidenti Bush tha se shërbimet e zbulimit në vende të ndryshme ishin të të njejtit mendim rreth kërcënimit që paraqiste Iraku, një pikëpamje që ai thotë se kishte si ish Presidenti demokrat Bill Clinton edhe kandidati demokrat për president, Senatori John Kerri. "Shumë nga këta kritikë mbështetën kundërshtarin tim gjatë zgjedhjeve të fundit. Por kur Senatori Kerry mbështeti rezolutën në Kongres për ndërhyrjen në Irak ai tha se kur votonte për t’i dhënë presidentit autoritetin për të përdorur forcën për të çarmatosur Saddam Husseinin, këtë e bënte pasi besonte se arsenali i armëve të shkatërrimit në masë në duart e Sadam Huseinit ishte një kërcënim shumë i madh për sigurinë e Amerikës".

Midis kritikëve kryesorë të presidentit dhe vendimit të tij për të shkuar në luftë është kryetari i partisë demokrate Howard Dean. Ai foli për rrjetin televiziv MSNBC. "E gjithë kjo filloi për shkak të luftës në Irak. Presidenti nuk tregoi të vërtetën kur shkoi në luftë. Mendoj se tani e dimë këtë fakt".

Ligjëvënësi demokrat Robert Menendez është mes ligjvenësve që kërkojnë fillimin e hetimeve rreth informacioneve që kishte administrata për armët në Irak para pushtimit. Ai tha se ligjvënësit e kanë për detyrë të zbulojnë sesi vendosi presidenti të shkojë në luftë dhe çfarë roli kishin zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në nxjerrjen e identitetit të një agjenteje të CIA-s burri i së cilës ishte një nga kritikët e luftës. "Ka ardhur koha që Kongresi të marrë mbi vete të drejtën për të vepruar si kontrolluesi i ekzekutivit. Ka ardhur koha që Kongresi të përmbushë detyrimet e tij ndaj popullit amerikan dhe të kërkojë informacion për luftën në Irak dhe për nxjerrjen e emrit të agjentes së CIA-s. Ka ardhur koha që Kongresi të përmbushë përgjegjësitë e tij për të mbikëqyrur presidentin dhe degën ekzekutive”.

Presidenti Bush tha se kritikët e mënyrës se si ai i përdori informacionet e para luftës lidhur me Irakun po dëmtojnë trupat amerikane dhe po inkurajojnë armiqtë e Amerikës. “Rreziqet në luftën globale kundër terrorizmit janë të mëdha dhe interesi kombëtar është shumë i rëndësishëm që politikanët të ngrenë akuza false. Këto sulme të pabaza u dërgojnë sinjale të gabuara trupave tona dhe një armiku, që vë në pikpyetje vendosmërinë e Amerikës.”

Zoti Bush tha se trupat amerikane meritojnë ta dinë se udhëheqësit e zgjedhur, të cilët votuan për t’i dërguar ata në luftë, vazhdojnë t’i mbështesin ata, kur gjendja vështirësohet. “Dhe trupat tona meritojnë të dinë se cilatdo qofshin mosmarrëveshjet tona në Washington, vendosmëria jonë është e patundur, vendi ynë është i bashkuar dhe ne nuk do të pranojnë asgjë tjetër veç fitores.”

Ky fjalim përbën kritikën më agresive deri tani të presidentit ndaj atyre që kanë ngritur dyshime për mënyrën se si i ka përdorur ai informacionet e zbulimit të para luftës lidhur me Irakun. Sipas anketave të opinionit publik, mbështetja e publikut për presidentin Bush ka rënë edhe më shumë, ndërkohë që gjithnjë e më shumë amerikanë dyshojnë në se lufta në Irak mund të justifikojë jetën e më shumë se 2 mijë trupave amerikane.

XS
SM
MD
LG