Lidhje

Kosumi: Kosova nuk do të ketë trazira gjatë bisedimeve për statusin


Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, hodhi poshtë sot çdo mundësi për trazira në Kosovë gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar.

Kryeministri tha se populli i Kosovës ka arsye për të qenë i kënaqur me këtë proces. "Nuk do të dëshiroja të paragjykoj se do të ketë trazira, unë besoj të kundërtën, se nuk do të ketë trazira, besoj fuqimisht se populli i Kosovës do të përkrahë fuqimisht procesin e bisedimeve për statusin përfundimtar. Populli i Kosovës ka shumë arsye për të qenë i kënaqur me këtë proces, ka shumë arsye për të qenë i përfshirë deri në fund në këtë proces. Kur them i përfshirë, nuk them vetëm me retorikë, por edhe praktikisht, sa më shumë struktura të shoqërisë, duhet të jenë të përfshira në këtë proces, sepse po bisedohet dhe po vendoset për fatin e Kosovës, të popullit të Kosovës dhe të cdo qytetari të Kosovës. Prandaj unë jam shumë optimist se populli i Kosovës do të përkrahë fuqimisht, do të mbështesë procesin, do të mbështesë delegacionin e Kosovës, institucionet e Kosovës, dhe do të jenë të fuqishëm në këtë proces. Nëse ka grupe të vogla apo individë që janë të pakënaqur, qoftë brenda Kosovës, qoftë jashtë Kosovës, thjeshtë duhet ti bindim edhe ata se procesi në të cilin po ecim, është rruga më e drejtë, rruga më e mirë dhe rruga që i sjell lirinë Kosovës".

Grupi politik i delegacionit negociator të Kosovës u mblodh sot për herë të parë në Prishtinë dhe arriti të marrë disa vendime me rëndësi. Bashkërenduesi i grupeve të punës, Blerim Shala, ishte optimist pas takimit të sotëm. "Ne kemi marrë dy vendime të rëndësishme, së pari do ta bëjmë propozimin e plotë të përbërjes së grupeve punuese, të hënën, i cili do ti dërgohet delegacionit të Kosovës, dhe së dyti, kemi nisur diskutimet e para për strategjinë negociuese".

Ndërkohë që Prishtina përgatitet për bisedimet për statusin, shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara Jessen petersen, theksoi sot rëndësinë që ka investimi në aftësimin e burimeve njerëzore në administratën publike në Kosovë. "Eshtë në krye të përparësive sepse tani po flasim për përgatitjet konkrete në rrugë e sipër, në mënyrë që Kosova pas statusit të ketë të gjitha kapacitetet për të menaxhuar Kosovën".

Grupi negociator i Kosovës në bisedimet për statusin, duhet të dalë me një platformë politike për këto bisedime, e cila duhet të miratohet nga parlamenti i Kosovës.

XS
SM
MD
LG