Lidhje

Rajs: Reformat politike në Lindjen e Mesme kanë sjell rezultate


Sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs tha sot se përpjekjet e kryesuara nga Shtetet e Bashkuara për të nxitur reformat politike në botën myslimane kanë sjellë rezultate madhore gjatë këtij viti. Por në një konferencë rajonale mbi reformat në Bahrein ajo akuzoi Sirinë për shkelje të të drejtave të njeriut.

Prezenca e zonjës Rajs në Forunim për të Ardhmen e 36 vendeve vjen pas tensioneve midis Washingtonit dhe Damaskut mbi, përveç të tjerash, akuzat e Shteteve të Bashkuara se Siria ka lejuar kalimin e militantëve islamik përmes territorit të saj për tu bashkuar me kryengritësit në Irak.

Me ministrin e jashtëm sirian Darouk al-Shara të pranishëm në sallë, sekretarja e shtetit veçoi qeverinë e Damaskut për kritika ndërsa vlerësoi tendencat pozitive të vendeve të tjera në rajon. Zonja Rajs tha se që nga Forumi i parë mbi të Ardhmen një vit më parë në Rabat, ka patur një zgjerim të madh të lirisë në kufijtë e rajonit të Lindje së Mesme, duke theksuar zhvillimin e dy zgjedhjeve demokratike në Irak dhe Afganistan. Populli palestinez ka zgjedhur një udhëheqës i cili hapur bën thirrje për paqe me Izraelin dhe në se arrijmë përparim në planin e paqes, krijimi i një shteti palestinez duhet të jetë shumë pranë. Për herë të parë zgjedhjet presidenciale në Egjypt ishin me konkurencë shumëpartiake, gratë kuvajtiane kanë tani të drejtën e votës dhe një milion qytetarët e Livanit kanë kërkuar dhe fituan pavarësinë e tyre nga sundimi sirian.

Zonja Rajs tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e popullit sirian për liri, demokraci dhe drejtësi dhe kërkojnë të shohin ndalimin e burgosjeve pa shkas të aktivistëve të të djretave të njeriut dhe demokracisë. Ajo tha se këtu përfshihen të burgosur të arrestuar pas të ashtuquajturës Pranvera e Damaskut, një periudhë debatesh politike dhe sociale që filloi pas vdekjes së presidentit sirian Hafez Assad në qershor të vitit 2000 por që më pas u shtyp nga qeveria e djalit të tij, Bashar.

Zonja Rajs citoi gjithashtu çështjen e Kamal Labwanit, një aktivist demokrat sirian dhe ish i burgosur politik i cili u burgos përsëri në fillim të muajit gjatë kthimit në Damask nga një vizitë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Zonja Rajs më vonë u bashku me pjesmarrësit e tjerë në Forumin e së Ardhmes, me 25 vende nga Lindja e Mesme dhe Afrika, vende të tetëshes, dhe Danimarka, Spanja dhe Greqia në një ceremoni ku u shpalosën dy nisma të reja. Fondacioni i së Ardhmes do të nxisë lirinë e shtypit dhe institucioneve të tjera demokratike në rajon dhe Fondi i së Ardhmes, do të synojë përparimin e reformave ekonomike duke finacuar bisneset e vogla dhe të mesme.

Shtetet e Bashkuara po japin 85 milion dollarë për këto nisma, më shumë se gjysma e fondeve fillestare për të dyja organizatat. Kontribute të mëdha po bëhen gjithashtu nga Bahreini, Egjypti dhe Maroku. Zonja Rajs shkon në Xheda sonte për të inaguruar një dialog strategjik amerikano-saudit. Ajo më pas shkon në Jeruzalem për tu takuar me udhëheqësit izraelit dhe palestinez. Para se të vazhdojë misionin e saj në Azinë Lindore, ajo do të vizitojë Jordaninë të hënën në mbrëmje për të shprehur keqardhjen e qeverisë amerikane për sulmet terroriste të kësaj jave në Aman. Ajo doli nga teksti i fjalimit të përgatitur për në Forumin e së Ardhmes për të shprehur edhe njëherë zemërimin ndaj shpërthimeve me bombë në hotele ku u vranë më shumë se 50 vetë përfshi tre amerikan dhe qytetarë nga disa shtetet të Gjirit. Ajo tha se sulmet e bëjnë punën e këtij forumi edhe më urgjente për të gjetur përgjigje për ato që ajo i quajti “ideologji të urrejtjes” që kanë sjellë dhunë në Jordani dhe në disa vende të tjera pjesëmarrëse në takim.

XS
SM
MD
LG