Lidhje

Presidenti Bush u përgjigjet kritikave për manipulimin e informacioneve të para luftës në Irak


Presidenti amerikan George Bush shfrytëzoi dje fjalimin e tij në Ditën e Veteranëve për t’iu përgjigjur kritikëve që thonë se Shtëpia e Bardhë keqpërdori informacionet e zbulimit për armët e shkatërrimit në masë në Irak, për të fituar mbështetjen për ndërhyrjen ushtarake në atë vend.

Duke folur në një bazë të forcave të armatosura në Pensilvani, presidenti Bush pranoi përgjegjësinë e plotë për pasojat e një lufte që nuk gëzon mbështetje, por iu përgjigj kritikëve që thonë se ai manipuloi informacionet e zbulimit për të justifikuar rrëzimin e presidentit irakian Saddam Hussein. “Si president dhe komandant i forcave të armatosura, unë i pranoj përgjegjësitë dhe kritikat dhe pasojat që vijnë pas një vendimi të tillë solemn. Megjithëse është e drejtë të kritikohet vendimi im ose zhvillimi i luftës, është shumë e papërgjegjshme të rishkruhet historia dhe si filloi lufta.”

Disa drejtues të partisë demokrate e kanë akuzuar Shtëpinë e Bardhë se i kanë përzgjedhur qëllimisht të dhënat dhe kanë nxjerrë informacione të gabuara për të fituar përkrahjen e publikut amerikan për luftën në Irak.

Presidenti thotë se akuzat janë të pabaza dhe shërbejnë vetëm për t’i dhënë zemër armikut dhe për të dobësuar moralin e trupave amerikane. Këshilltari për sigurimin kombëtar amerikan Stephen Hadley e pranon se disa nga informacionet e zbulimit mund të kenë qenë të gabuara, por thotë se 77 senatorë nga të dy partitë politike kanë pasur në duar të njejtat raporte të shërbimeve të zbulimit. “Dua të vë në dukje se disa nga kritikët e sotëm besonin edhe vetë në vitin 2002 se Saddam Hussein kishte armë të shkatërrimit në masë. Ata e kanë thënë këtë. Dhe ata votuan për të autorizuar përdorimin e forcës në Irak sepse besonin se Sadam Hussein përbënte kërcënim të rrezikshëm për popullin amerikan. Fakti që këta kritikë nuk i marrin më parasysh deklaratat e tyre të mëparshme tregon boshllëkun e sulmeve të tyre të tanishme.”

Analistët politikë thonë se përgjigjet nga ana e Shtëpisë së Bardhë kanë qenë të ashpra pavarësisht nga dyshimet që rriten çdo ditë për një luftë që u ka marrë jetën më shumë se 2000 pjesëtarëve të ushtrisë amerikane. Por anëtarët e Partisë Demokratike thonë se përgjigje të tilla, janë një shenjë dëshpërimi. Anketat e fundit nga agjencia e lajmeve Associated Press tregojnë se përkrahja për presidentin ka rënë në nivelin më të ulët, 37 përqind.

Senatori demokrat Edward Kennedy e quajti fjalimin e djeshëm të president, si një fjalim fushatash elektorale, në një ditë që synonte nderimin e sakrificave të forcave të armatosura. Senatori Kennedy e akuzoi presidentin për të njejtat taktika të manipulimit të fakteve për të justifikuar një luftë që nuk duhet të kishte filluar. Dhe Senatori John Kerry, i cili humbi ndaj presidentit Bush në zgjedhje, tha se se Presidenti nuk i nderon veteranët me fjalime të tilla në Ditën e Veteranëve.

XS
SM
MD
LG