Lidhje

A ka të drjetë njeriu të kërkojë ndihmë për t'i dhënë fund jetës?


Gjykata e Lartë amerikane e filloi sesionin e saj për këtë vit me një çështje shume delikate. Bëhet fjalë për të drejtën për të vdekur. Gjykata dëgjoi argumentet kundër një ligji të shtetit Oregon që ka ngjallur polemika, në bazë të të cilit lejohen vetëvrasjet e mundësuara nga ndihma e doktorëve. Shumë vetë mendojnë se i sëmuri ka të drejtën të vendosë që të vdesë me dinjitet, ndërsa të tjerë këmbëngulin se vetëvrasja e ligjëruar është një praktikë e rrezikshme.

Gjykata e Lartë e drejtuar nga kryetari i saj i ri po shqyrton një çështje që mund të ketë ndikim tek shumë amerikanë: A i shkel dispozitat federale për ilaçet një ligj i shtetit Oregon, i cili lejon mjekët të përdorin ilaçe për të shkaktuar vdekjen e pacientëve me sëmundje të pashërueshme dhe që e kërkojnë një gjë të tillë?

Administrata e Presidentit Bush është kundër vetëvrasjes me ndihmën e mjekut dhe po e kundërshton ligjin e Oregonit të ashtuquajtur “Vdekje me dinjitet”, duke argumentuar se ta afrosh artificialisht vdekjen, kjo përbën një përdorim të paligjshëm të barnave.

Por përkrahësit e ligjit të Oregonit thonë se qeveria federale nuk ka pse të ndërhyjë në vendimin e pacientit për t’i dhënë fund jetës. Doktor Paul Spiers punon në një organizatë të quajtur “Alternativat e vdekjes”. “Ndoshta jo të gjithë ne do të bëjmë abort, apo do të votojmë, por të gjithë do të vdesim një ditë. Kështuqë pyetja që shtrohet është a do të na lihet në dorë të zgjedhim se si do të vdesim”?, shpjegon zoti Spiers.

Oregoni e miratoi ligjin “vdekje me dinjitet” në vitin 1994 dhe vazhdon të jetë i vetmi shtet që lejon vetëvrasje me ndihmën e mjekut. Që nga viti 1997, 208 pacientë kanë kërkuar ndihmë për t’i dhënë fund jetës.

Por administrata e Presiedentit Bush dhe të tjerë thonë se ilaçet duhet të përdoren për ta zgjatur jetën, jo për ta shkurtuar atë. Jim Bopp, jurist i komitetit kombëtar për të drejtën për të jetuar thotë se mjekët nuk duhet të luajnë asnjë rol në vetëvrasjet e pacientëve. “Nuk është kurë mjekësore, është mungesë e ndihmës mjekësore. Kështu i bëhet dëm pacientit”, thotë zoti Bopp.

Shumë vetë po i kushtojnë vëmendje të madhe diskutimeve në gjykatë. Mes tyre është Greg Yaden i cili prej vitesh vuan nga leuçemia. Ai thotë se e ka siguruar dozën e ilaçit që i duhet për t’i dhënë fund jetës, nëse i mbushet mendja.

Ndërkohë Charlene Andrews vazhdon udhëtimet e saj, pavarësisht se vuan nga kanceri i gjirit. Të dy ata thonë se kura më e mirë për të sëmurët që nuk kanë shërim është t’u lejohet të marrin vetë vendim për momentet e fundit të jetës. “Gjithkush e kupton kur i afrohet vdekja. Unë dua që të vdes me dinjitet dhe e rrethuar nga dashuria e të afërmve”, thotë Charlene.

Të tjerë mendojnë se vetëvrasja e ligjëruar është një praktikë e rrezikshme që mund t’u japë të drejtën mjekëve të vendosin se kush duhet të jetojë e kush të vdesë. Diane Coleman që bën pjesë në grupin e aktivistëve me aftësi të kufizuara fizike thotë se nëse ligji i Oregonit shfuqizohet, edhe shtete të tjera mund të miratojnë praktika të ngjashme që mund të rrezikojnë jetën e shumë personave me paaftësi fizike, nevojat e të cilëve për kujdes shëndetësor kërkojnë shumë shpenzime. “Kjo mund të jetë shenjë për ndryshime më të mëdha dhe prandaj është arësye për t’u shqetësuar”, thotë zonja Coleman.

Analistë ligjorë thonë se përfundimi i kësaj sfide do të varet nga fakti se çfarë mendon gjykata e lartë: se shtetet duhet të vazhdojnë të kenë kontroll mbi aktivitetin e mjekëve, apo qeveria federale mund të ushtrojë autoritetin e saj për të ndaluar vetëvrasjet e ndihmuara nga mjekët.

XS
SM
MD
LG