Lidhje

Dhimbjet e kokës: Anestezia lokale


Shpesh çdo dhimbje koke trajtohet thjesht me një aspirinë dhe sapo dhimbja kalon, ashtu bie edhe interesimi për diagnostikimin e saktë te saj. Dhe dhimbjet e kokës kanë shkaktarë të shumtë, duke filluar nga ftohja, sinoziti e deri tek dhimbjet e forta të migrenës. Por disa mënyra të reja të trajtimit të dhimbjeve të kokës ofrojnë shpresa për të sëmurët. Një pamje e kompjuterizuar e trurit tregon reagimin e trurit kur njeriu provon dhimbje të migrenës, sëmundje e cila prek rreth 20 përqind të amerikanëve. Mira Xhois ka provuar mijëra dhimbje të tilla, që nga mosha 14 vjeçare. Tani ajo është 55 vjeç. Doktor Mark Grin pranë qëndrës mjekësore të universitetit Kolumbia në Nju Jork, thotë se gjendja e Mirës është përmirësuar ndjeshëm, falë përparimeve teknologjike në fushën e mjekësisë. Por problemi është se pacientë të tillë shpesh diagnostikohen gabim. Për shembull Mirës, prej vitesh mjekët i thonin se dhimbjet e kokës i shkaktoheshin nga sinoziti. Doktor Grin thotë se diagnostikimi i saktë ka shumë rëndësi, pasi vetëm kështu mjekët mund të ndërhyjnë në kohën e duhur për parandalimin e keqësimit të gjendjes shëndetësore. Doktor Grin thotë se pas diagnostikimit të saktë, ilaçi më i mirë kundër simptomave të migrenës është provuar të jetë ai i grupit të ilaçeve triptan, që e largojnë menjëherë dhimbjen e kokës, por njëkohësisht shkaktojnë marrje mendsh. Shkencëtarët tani janë duke kryer prova për përdorimin me sa më efektivitet të ilaçeve triptan, që mund të merren nga goja, por edhe nëpërmjet injeksioneve. Doktor Grin thotë se këto terapi të reja bëjnë të mundur jo vetëm trajtimin e simptomave në përgjithësi, por shpesh eleminojnë edhe dhimbjet e kokës të shkaktuara nga migrena. Mjekët thonë se ilaçet e llojit triptan janë të efektëshme në më shumë se 80 përqind të rasteve, por ata rekomandojnë që personat që vuajnë nga sëmundje vaskulare duhet të shqyrtojnë përdorimin e alternativave të tjera të mundëshme.

Mjekimi i mishrave të dhëmbëve

Një mjet i ri i përdorur nga stomatologët në Shtetet e Bashkuara, garanton mjekimin pa dhimbje të mishrave të dhëmbëve. Shumë njerëz kanë nevojë të shkojnë tek dentisti, por kanë frikë kur mendojnë dhimbjet që u duhet të provojnë. Për shembull, Stefani Mkejb për 4 vjet nuk shkonte tek dentisti megjithese ndjente dhimbje ne mishrat e dhembeve. Por sot u bind kur mësoi për metodën e re të trajtimit pa dhimbje. Ajo vuan nga mishrat e dhëmbëve dhe dentisti i saj, Xhonathan Riter po përdor një ilaç të quajtur Orakiks për të mpirë mishrat, pa nevojën e përdorimit të gjilpërës, dhe në këtë mënyrë të jetë në gjendje të pastrojë mishtrat e dhëmbëve pa i shkaktuar dhimbje pacientes. Orakiks nuk përdoret në rastet e mbushjes së dhëmbëve ose kundër dhimbjeve të dhëmballës, por është me shumë efektivitet kundër plagëve në mishrat e dhëmbëve. Paisja që shpërndan orakiksin i ngjan një gjilpëre, por maja e saj është e butë dhe në këtë mënyrë ilaçi mund të dërgohet drejt e në plagë pa shkaktuar dhimbje. Plaga mpihet brenda 30 sekondave nga koha e vendosjes së ilaçit dhe mpirja apo anestezia lokale zgjat 20 minuta. Mishtrat e dhëmbëve kur janë të shëndetshëm pakësojnë dukshëm rastet e infeksioneve dhe parandalojnë sëmundje. Tani, falë kësaj anestezie pa gjilpërë, mishrat e dhëmbëve të kësaj pacienteje janë të shëndetshëm dhe ajo nuk ka më frikë të vijë përsëri për pastrimin e rregullt të tyre.

XS
SM
MD
LG