Lidhje

Mbahet në Shkup Konferenca e Ministrave të Mbrojtjes të Kartës së Adriatikut

  • Naser Pajaziti
  • Shkup

Me miratimin e një deklarate të përbashkët përfundoi sot në Shkup Konferenca e ministrave të mbrojtjes të vendeve të Kartës së Adriatikut.

Në deklaratë theksohet se aktiviteti i vendeve pjesëmarrëse duhet të orientohet në vazhdimin e bashkëpunimit rajonal, sigurimin e qëndrueshmërisë në rajon, vazhdimin e reformave dhe partneritetin në luftën globale kundër terrorizimit.

Ministrat e mbrojtjes deklaruan se është i nevojshëm sigurimi i një zhvillimi pozitiv për bisedimet për statusin e Kosovës. Gjithashtu u theksua nevoja për mbështetjen e Bosnjë Hercegovinës dhe Serbisë e Malit të Zi në Partneritetin për Paqe.

Ministrat e mbrojtjes të Maqedonisë, Shqipërisë dhe sekretari i mbrojtjes i Kroacisë nënvizuan se vendet e tyre po vazhdojnë zbatimin e reformave të rëndësishme ushtarake dhe juridike në përpjekje për të arritur antarësimin në NATO në një të ardhme të afërt.

Ministri maqedonas i Mbrojtjes, Jovan Manasievski deklaroi se vendet e Kartës së Adriatikut deri tani kanë arritur rezultate të suksesshme në fushën e reformave të brendshme dhe bashkëpunimin rajonal. Zoti Manasievski tha se vendet e rajonit shpresojnë që Aleanca e Atlantikut Verior edhe më tej do të aplikojë politikën e dyerve të hapura për vendet që synojnë integrimin në gjirin e saj.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu tha se Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme në drejtim të përmbushjes së kritereve për anëtarësim në NATO.

"Shpresoj që në Samitin e ardhshem te kete nje vleresim te qarte sa i perket progresit qe eshte bere ne rrugen drejt integrimit ne NATO dhe me tej te merret nje vendim i qarte per anetaresimin e Shqiperise dhe vendeve te tjera te rajonit ne NATO-s ne nje te ardhme te afert", tha zoti Mediu.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe Peter Flory, ndihmësi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, i cili tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet për integrimin sa më të shpejt të vendeve të rajonit të Ballkanit në struktuar e Aleancës Veriatlantike.

Karta e Adriatikut e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u nënshkrua 2 vjet më parë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, si një marrëveshje bashkëpunimi mes këtyre vendeve që aspirojnë një anëtarësim sa më të shpejtë në Aleancën Atlantike.

XS
SM
MD
LG