Lidhje

Bosnje Hercegovina ka nevojë për një sistem kombëtar drejtësie


Bosnje Hercegovina ka nevojë për një sistem kombëtar drejtësie për të përballuar sfidën e gjykimit të të pandehurve për krime lufte. Ky është mesazhi që sjell me vete një zyrtar i lartë amerikan, i cili punon në Gjykatën e Bosnjes për Krimet e Luftës, ndërsa erdhi në Uashington, në krye të një delegacioni të zyrtarëve boshnajkë të drejtësisë.

Dega e Krimeve të Luftës e Gjykatës së Bosnjes, drejtohet nga Michael Johnson. Ai tha se diskutimet midis zyrtarëve të drejtësisë nga Sarajeva dhe ekspertëve amerikanë në Uashngton si të frytshme, duke shtuar se diskutime të tilla duhen zhvilluar më shpesh. “Delegacioni erdhi në Uashington për të ngritur emrin e bordit shtetëror në sytë e politikanëve dhe ekspertëve amerikanë. Është një arritje e pabesueshme që ata vetë kanë krijuar një sistem kombëtar duke përdorur ndihmë ndërkombëtare për të gjykuar disa nga rastet më komplekse të drejtësisë kriminale.”

Vizita e zyrtarëve boshnjakë në Uashington përkon me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjeve të Daytonit që vendosën paqen në Bosnje Hercegovinë. Zoti Johnson tha se modeli i një gjykate kombëtare i krijuar nën kujdestarinë amerikane në vitin 2003, ka qënë i suksesshëm kur krahasohet me Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. “Siç e dimë, fondet për Gjykatën e OKB-së, në Hagë janë rreth 125 milionë dollarë në vit. Ata kanë tre salla gjyqi, dhe një personel prej mbi 1 mijë vetësh. Gjykata e Bosnjes ka 6 salla gjyqi dhe do të gjykojë dy herë më shumë raste me një buxhet prej 6 – 7 milionë eurosh në vit. Prandaj ata kanë ardhur këtu për të bërë të ditur se puna e tyre është një eksperiment i rëndësishëm në drejtësinë ndërkombëtare dhe pajtimin kombëtar.”

Shtetet e Bashkuara janë dhuruesi më i madh për sistemin e drejtësisë në Bosnje, me 12 milionë dollarë. Vende të tjera dhuruese janë Japonia, Turqia, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera evropiane. Zoti Johnson thotë gjykata e krimeve të luftës në Bosnje është në udhë të mbarë, por ka ende shumë për të bërë. “Është një arritje e madhe. Duhet të jetë shembull për të tjerët dhe pa dyshim që është një pjesë e rëndësishme e pajtimit në Bosnje Hercegovinë. Siç tha Ministri i Drejtësisë dhe Kryeprokurori i Bosnjes, në se Gjermania shërben si model, që ende gjykon raste të Luftës së Dytë Botërore, edhe Bosnja do të meret me trashëgiminë e luftës për dekada të tëra. Prandaj është e rëndësishme të ketë një sistem drejtësie që është i aftë të përmbushë këtë sfidë.”

Gjykata e Bosnjes për Krimet e Luftës thotë se synimi i saj është tani të shkëputet nga vartësia e ndihmave financiare nga vende të tjera.

XS
SM
MD
LG