Lidhje

Sadam Husein / Sllobodan Milosheviç: Të përbashkëtat dhe dallimet mes dy gjykimeve


Gjyqi i ish-Presidentit irakian Saddam Hussein pritet të rifillojë në Bagdad gjatë këtij muaji. Në këtë material nga Uashingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre’ de Nesnera bën një krahasim mes gjyqit të Saddamit dhe atij të ish-Presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në Hagë:

Më 19 tetor, ish-presidenti irakian Saddam Hussein doli para një gjykatë në Bagdad. Së bashku me shtatë persona të tjerë, ai është akuzuar për krime kundër njerëzimit, për torturimin dhe vrasjen e mbi 140 burrave dhe djemve pas një atentati kundër tij në vitin 1982 në qytetin e Duxhailit. Ish-udhëheqësi irakian deklaroi se ishte i pafajshëm.

Pas një seance prej rreth tri orësh, u vendos që gjyqi të rifillonte më 28 nëntor. Gjatë seancës së parë Sadam Huseini dhe avokatët e tij menjëherë sfiduan autoritetin e gjykatës së posaçme. Laurel Miller, eksperte për krimet e luftës në Institutin e Paqes thotë se edhe një i pandehur tjetër i një profili të tillë, e ka përdorur këtë lloj taktike. “Të njëjtën gjë e kemi parë me gjyqin e ish-Presidentit Jugosllav Sllobodan Millosheviç në Hagë. Gjatë gjithë procesit, ai është përpjekur të sulmojë besueshmërinë e gjykatës dhe të sfidojë legjitimitetin e saj. Dhe mendoj edhe në gjyqin e Sadam Huseinit do të vazhdojmë të shohim të njëjtën gjë, por nuk mendoj se kjo linjë mbrojtjeje do të jetë e suksesshme”.

Krahasimi mes dy gjyqeve është i pashmangshëm. Bëhet fjalë për dy ish-udhëheqës të akuzuar për të njëjtat krime: genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Por ekspertët thonë se nuk ka ngjashmëri të tjera. Një nga ndryshimet është se Sllobodan Millosheviçi po vetëmbrohet, ndërsa Sadam Huseini mbrohet nga një ekip avokatësh ndërkombëtarë.

Një ndryshim tjetër është se Sllobodan Millosheviçi po gjykohet nga një gjykatë ndërkombëtare, ndërsa Sadam Huseini gjykohet në vendin ku akuzohet dhe gjykatësit janë irakianë. Michael Scharf, një ekspert i njohur i së drejtës penale ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në universitetin Case të Ohajos thotë se shumë njerëz donin që Sadam Huseini të gjykohej nga një gjykatë ndërkombëtare. Por zoti Scharf thotë se zyrtarët irakianë donin që procesi të kryhej në Irak, kështuqë krijuan atë që ai e quan një gjykatë vendase të ndërkombëtarizuar: “Është gjyq vendas sepse gjykatësit, prokurorët janë irakianë dhe zhvillohet në Bagdad. Por është i ndërkombëtarizuar sepse po përdor statutet e gjykatave për Jugosllavinë dhe Ruandën që përcaktojnë krimet, mbrojtjen dhe procedurën. Dhe gjykatësit dhe prokurorët janë kualifikuar nga organizata ndërkombëtare joqeveritare dhe një grup institucionesh akademike po ndihojnë gjykatësit, Pra është një gjykatë hibride”.

Ekspertët thonë se një ndryshim tjetër mes dy proceseve është se gjykatat ndërkombëtare nuk parashikojnë dënimin me vdekje. Kështuqë dënimi maksimal i Sllobodan Millosheviçit nëse shpallet fajtor do të ishte ai me vdekje. Ndërsa Saddam Husseini mund të dënohet me vdekje. Ekspertët thonë se një shqetësim i shprehur nga zyrtarët irakianë është se sa gjatë po shkon gjyqi i Millosheviçit, pothuajse katër vjet.

Zonja Miller e Institutit të Paqes thotë se në Irak mund të ketë presion që gjyqi i Saddam Huseinit të jetë i shpejtë dhe të mos zgjasë aq shumë sa ai i Millosheviçit: “Nga njëra anë, njerëzit shqetësohen që procesi i Milloshevicit po zgjat kaq shumë, sepse krijohet përshtypja që drejtësia po vonon dhe nuk po vendoset në vend. Por nga ana tjetër, në fund të fundit në gjyqin e Millosheviçit, do të ishte e pamundur që dikush të mbronte argumentin që procesi ka qenë i padrejtë. Kështuqë ndonjëherë nuk është e thënë që shpejtësia e procesit të ketë lidhje direkt me drejtësinë”.

Analistët thonë se është thelbësore që gjyqi i Sadam Huseinit të jetë i drejtë. Por nga ana tjetër ata janë të një mendjeje se do të jetë një detyrë e vështirë duke patur parasysh gjendjen e tensionuar politike në Irak dhe praninë e një të pandehuri që ngjall aq shumë acarim tek popullsia.

XS
SM
MD
LG