Lidhje

Irak: akuza për torturimin e të burgosurve suni në një burg sekret


Partia kryesore politike suni në Irak ka kërkuar hapjen e një procesi hetimor ndërkombëtar lidhur me akuzat se të burgosur suni janë keqtrajtuar dhe ndoshta edhe torturuar në një burg sekret në Bagdat, që administrohej nga Ministria e Brendshme e Irakut.

Partia Islamike e Irakut tha sot se e ka informuar qeverinë për raste të ngjashme në të kaluarën, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Dje, kryeministri Ibrahim al-Xhafari premtoi fillimin e hetimeve lidhur me akuzat.

Trupat amerikane zbuluan të dielën burgun sekret dhe thanë se atje mbaheshin të burgusur 168 persona, të gjithë prej tyre, me përjashtim të tre vetave, ishin suni. Të burgosurit ishin lënë pa ngrënë, ishin rrahur dhe disa prej tyre duket se ishin torturuar.

Zbulimi i këtij burgu mund të acarojë më tej tensionet sektare në vend, ndërkohë që Ministria e Brendshme e Irakut kontrollohet në pjesën dërrmuese nga zyrtarë shiitë me lidhje të forta me Brigadën Badr. Ky grup para-ushtarak ka lidhje me një prej partive kryesore politike shiite.

XS
SM
MD
LG