Lidhje

Gashi: Në Kosovë ka konsensus të plotë për respektimin e të drejtave të pakicave


Alush Gashi, kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha dje në një intervistë me Zërin e Amerikës se një Kosovë e pavarur do të ishte në të mirë jo vetëm të saj, por edhe të rajonit dhe të Serbisë dhe shtoi se shteti i Kosovës do të garantonte të drejtat e pakicës serbe. Zoti Gashi ndodhet për vizitë në Washington për takime me në Departamentin e Shtetit, Kongres dhe në organizata që janë marrë me çështjen e Kosovës, për bisedime para hapjes së negociatave. Kolegia Laura Konda e intervistoi zotin Gashi, i cili foli fillimisht për rezolutën që diskutohet sot në Kuvend dhe ku do të shprehet qëndrimi për pavarësi pa kushte:

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi parlamenti pritet të diskutojë lidhur me rezolutën mbi pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që përfaqësuesi i zyrës amerikane në Prishtinë dhe kryeadministratori i Kosovës kanë shprehur shqetësim që kjo është e parakohëshme në kushtet e tanishme të Kosovës. Çfarë pritet nga sesioni i parlamentit?

Alush Gashi: Në seancën e tre shtatorit u mor vendim që të formohet grupi për hartimin e rezolutës, e cila do t’i ofrohet seancës plenare për shqyrtim, besoj për miratim. Grupet parlamentare kanë punuar së bashku dhe kanë arritur një konsensus lidhur me tekstin të cilin e kanë nënshkruar dhe ia kanë ofruar kryesisë së Kuvendit për procedim të mëtejshëm dhe mendoj se është një tekst i cili është shumë korrekt në regjistrin e së kaluarës sonë. Është një tekst që shpreh gjithashtu një transparencë dhe një korrektësi për atë sesi e sheh kuvendi Kosovën: Një Kosovë e cila do të ketë një kushtetutë evropiane, një Kosovë e cila do të garantojë të drejta për gjithë qytetarët tanë, të drejta të posaçme për minoritetet e kështu me radhë, por edhe që kërkon njohje ndërkombëtare të një Kosove të pavarur, me një pavarësi të plotë, pa kushtëzime dhe mendoj se në këtë pjesë mund të jetë mosmarrëveshja lidhur me qendrat e ndryshme të vendosjes, të cilat janë të bindura se sot Kosova nuk mund të njihet e pavarur, ndoshta duhet pritur edhe disa muaj.

Zëri i Amerikës: Nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim se gjendja shëndetësore e zotit Rugova mund të ndikojë në bisedimet për statusin...

Alush Gashi: Presidenti Rugova ka qenë në një shëndet të mirë dhe është hera e parë që ka ankesa. Ato shqetësime sigurisht që janë të datave më të hershme të para disa muajve. Fatmirësisht përgjigjia ndaj terapisë është shumë impresive dhe unë jam i bindur që procesin e negociatave presidenti do ta udhëheqë me shumë sukses.

Zëri i Amerikës: Aktualisht tani Lidhja Demokratike e Kosovës është pa një kryetar. Si po funksionon partia juaj në këto kushte?

Alush Gashi: Jo, faktet tregojnë që Lidhja Demokratike e ka kryetarin...

Zëri i Amerikës: E kam fjalën që kur kërkoi dorëheqjen zoti Rugova...

Alush Gashi: Ne veprojmë në bazë të statutit i cili është i pranuar nga OSBE-ja dhe në bazë të atij statuti, ne vjet i kemi patur zgjedhjet në parti, kemi pasur një kuvend, ku doktor Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike dhe ai vazhdon të jetë kryetar. President Rugova me iniciativën e tij ka ofruar dorëheqjen në kryesi të LDK-së që për shkak të angazhimeve ditore, që në kuadër të statusit ne të bëjmë një zgjedhje tjetër. Statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës cakton që në rast të angazhimeve të kryetarit, atë punë mund ta kryejnë nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm, apo një anëtar i kryesisë dhe mendoj se çështja e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në bazë të statusit do të shqyrtohet në kuvendin e ardhshëm, ku unë pres që zoti Rugova do të zgjidhet përsëri Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Serbisë ka paraqitur disa direktiva lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, sipas së cilave hidhet poshtë çdo lloj zgjidhjeje që ka të bëjë me pavarësinë dhe mbështet përpjekjet për një marrëveshje kompromisi. Sipas mendimit tuaj, sa do të ndikonte kjo në synimin që kanë shqiptarët, synimin e së ardhmes së Kosovës që është pavarësia?

Alush Gashi: Ne njohim të drejtën e Beogradit që të interesohet për minoritetin serb në Kosovë dhe lidhur me këtë çështje ne jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me të. Sa për statusin e Kosovës, Beogradi nuk ka të drejtë dhe mendojmë që një pavarësi e plotë dhe e menjëherëshme do të ndikonte mirë për rajonin, do të jetë mirë edhe për serbët, si në Kosovë, por ashtu nëse është mirë për në Serbi, ne nuk na pengon. Ato deklarata janë 50 vjet të vonuara dhe mendoj se çdo përpjekje e Serbisë për ta ndërruar kahjen e vëmendjes është gabim. Qeveria e Serbisë është mirë t’ua shpjegojë qytetarëve të Serbisë se Kosova do të jetë e pavarur, do të jetë një shtet normal i cili ofron fqinjësi të mirë, i cili ofron garantim të plotë të së drejtave të minoriteteve, këtë radhë të minoritetit serb, që ofron edhe mekanizma të sigurtë, të qëndrueshëm për garantimin e të drejtave. Prandaj si propozim i tillë, apo vendim i tillë për ne është plotësisht i papranueshëm.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit presiedenti i Serbisë, Boris Tadic ishte për një vizitë në Moskë ku presidenti Putin në bisedimet me të shprehu shqetësim lidhur me fatin e 200 mijë serbëve të zhvendosur nga Kosova që nga periudha e luftës. Sa reale është kjo shifër?

Alush Gashi: Kur diskutohet çështja e të drejtave të njeriut, numrat ndoshta nuk kanë edhe aq rëndësi. Sigurisht, zoti Putin ka menduar se Kosova kurrë nuk ka patur më tepër se 200 mijë serbë. Ne jemi zotuar dhe kemi një konsensus të plotë që t’i sigurojmë të drejtat e minoriteve dhe në kuadër të saj edhe të drejtat e minoritetit serb. Kështuqë presidenti rus nuk ka arsye të shqetësohet, sepse përpjekjet tona janë shumë të qëndrueshme. Ne nuk do të lejojmë që asnjë qytetar i Kosovës të diskriminohet dhe në kuadër të saj, as minoriteti serb.

Zëri i Amerikës: A janë marrë masa konkrete për garantimin e të drejtave të minoriteteve, kryesisht atij serb në Kosovë?

Alush Gashi: Me kornizën kushtetuese janë specifikuar të gjitha të drejtat. Me kushtetutën që ne ofrojmë si pjesë e këtij procesi që tani ka filluar, do të krijojmë mekanizma të cilat i garantojnë ato të drejta dhe do të ftojmë edhe institucione ndërkombëtare për të mbikqyrur procesin. Në Kosovën e pavarur, sovrane, demokratike ne do ta ftojmë edhe bashkësinë ndërkombëtare që ndihmon për çështjet e sigurisë për gjithë qytetarët e Kosovës.

Mendoj që do të jetë një shtet i pavar me praninë e NATO-s, me praninë e institucioneve ndërkombëtare që do t’i vëzhgojnë institucionet demokratike në Kosovë dhe jam i bindur që Kosova do të jetë shembull i mirë i zhvillimit të një demokracie në Evropën Lindore.

Zëri i Amerikës: Cili është synimi i vizitës suaj këtu në Washington?

Alush Gashi: Në Washington ndodhem për takime në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, në senat dhe Kongres si edhe në një numër organizatash që kanë punuar për shumë vite për çështjen e Kosovës. Natyrisht në fillim të procesit të negociatave, ne kemi arsye për të kërkuar sqarime, për disa çështje që nuk janë të specifikuara aty dhe natyrisht si Kosovë e cila synon të ketë lidhje speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne me kapacitetin tonë modest e ofrojmë fillimin e një procesi të tillë.

XS
SM
MD
LG