Lidhje

SHBA: Ashpërsohet debati për luftën në Irak

  • Malini Baua

Prania ushtarake amerikane në Irak është bërë objekt i një debati që sa vjen e ashpërsohet midis administratës së Presidentit Bush dhe demokratëve të opozitës në Kongres. Demokratët po bëjnë kritika të ashpra dhe po kërkojnë që administrata të vendosë afate për tërheqjen e trupave. Por presidenti Bush dhe zyrtarë të tjerë të administratës i kanë quajtur deklarata të tilla të papërgjegjëshme.

Dy vjet e gjysmë luftë, mëse 2070 jetë amerikane të humbur, mijra irakianë të vrarë... Partia Demokrate e opozitës e shkallëzoi këtë javë kritikën ndaj politikës së Presidentit Bush për luftën në Irak. Dje, kongresmeni John Murtha, ish marins i cili ka marrë medalje të ndryshme për shërbimin e tij në Vietnam, tha se trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Iraku brenda 6 muajsh.

"Trupat tona kanë bërë çdo gjë që u është kërkuar. Shtetet e Bashkuara nuk mund të arrijnë më shumë se kaq në Irak në aspektin ushtarak. Ka ardhur koha t’i kthejmë trupat në atdhe."

Kongresmeni Murtha fillimisht votoi në favor të luftës në Irak. Por ai mendon se me shtimin e shpërthimeve dhe të sulmeve ndaj ushtarëve amerikanë, prania amerikane në Irak nuk është më rezultative.

"Trupat tona janë tani armiku dhe objektivi i tyre," tha kongresmeni.

Presidenti Bush, gjatë vizitës që po bën në Azi, iu përgjigj disa kritikëve të Partisë Demokrate që e kanë akuzuar administratën se deformoi qëllimisht informacionet e zbulimit për të justifikuar ndërhyrjen në Irak.

"Kur demokratët thonë se unë qëllimisht e çorientova Kongresin dhe popullin, kjo është një deklaratë e papërgjegjëshme. Edhe ata i panë të njëjtat informacione zbulimi dhe shumë prej tyre votuan në favor të vendimit që mora," tha Presidenti.

Nënpresidenti Dick Cheney iu bashkua kundërsulmit ndaj kritikave të demokratëve.

"Aluzionet se Presidenti i Shteteve të Bashkuara ose ndonjë zyrtar i administratës qëllimisht çorientoi popullin amerikan lidhur me informacionet e zbulimit, janë ndër akuzat më të pandershme dhe më të ulta që janë bërë ndonjëherë në Uashington."

Në fillim të kësaj jave, senati amerikan miratoi një rezolutë që i kërkon Shtëpisë së Bardhë të hartojë planet për t’i dhënë fund ndërhyrjes në Irak dhe për të raportuar rregullisht mbi ecurinë e misionit të atjeshëm.

Senatorët e Partisë Republikane e hodhën poshtë një kërkesë të demokratëve për hartimin e një kalendari të tërheqjes së trupave. Por rezultati i votimit duket se pasqyron faktin që ligjvënësit, përfshirë madje edhe disa senatorë të partisë republikane të Presidentit Bush, po kërkojnë të shtrojnë publikisht pikëpyetje rreth luftës.

XS
SM
MD
LG