Lidhje

Analistët mbi marrëdhëniet kino-amerikane


Nesër Presidenti Bush fillon një vizitë tri ditëshe në Kinë, ku pritet të diskutojë rreth rrugëve për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, që zyrtarët amerikanë i cilësojnë si shumë të mira. Ndërsa dy vendet bashkëpunojnë për një numër çështjesh në fushat e sigurisë dhe tregëtisë, marrëdhëniet mes tyre komplikohen herë pas here për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut dhe Tajvanin. Në vazhdim do t’i hedhim një vështrim marrëdhënieve amerikano-kineze në prag të vizitës së Presidentit Bush.

Duke folur javën e kaluar për qëndrimin amerikan, Këshilltari i Presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar, Stephen Hadley tha se marrëdhëniet amerikano-kineze nuk kanë qënë kurrë më të mira se tani.

“Marrëdhëniet tona janë të forta dhe na lejojnë të punojmë në mënyrë të sinqertë me njeri tjetrin për një sërë çështjesh, si luftën kundër terrorizmit, tregëtinë, dhe bisedimet 6 palëshe.” - tha zoti Hadli.

Gjatë një fjalimi në Kioto të Japonisë, Presidenti Bush u dërgoi një mesazh udhëheqësve kinezë para fillimit të vizitës atje.

“Duke përqafuar lirinë në të gjitha nivelet, Tajvani i ka sjellë begati popullit dhe ka krijuar në shoqëri të lirë e demokratike kineze”. - tha Presidenti.

Komenti i hapur për lirinë në Tajvan, që Kina e konsideron si një provincë separatiste, tërhoqi menjëherë vëmendje në Kinë. Ministri i Jashtëm kinez Li Zhao Xing u përgjigj me shpejtësi.

“Ne duhet të punojmë shumë dhe mos t’u kushtojmë vëmendje njerëzve që flasin për këtë apo atë, që përpiqen të trondisin besimin tonë, veçanërisht kur është fjala për dashurinë për atdheun.” - tha ministri.

Presidenti Bush shkon në Kinë në një kohë bumi ekonomik në këtë vend. Kina sot prodhon aeroplanë, sonda hapësire, ndërton qiejgërvishës, po ndryshon peisazhin urban, dhe eksportet po mbushin tregjet globale, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë ekonomistët amerikanë thonë se ky zgjerim ekonomik nxitet nga paga artificialisht të ulta dhe nga monedha me një kurs shkëmbimi fiks. Jing Huang, studiues pranë Institutit Brookings, thotë se një gjendje e tillë dëmton punëtorët kinezë dhe u sjell përfitime vetëm elitave udhëheqëse dhe korporatave ndërkombëtare.

“Kjo u krijon mundësi t’i mbajnë pagat të ulta. Nuk i lejon punëtorët kinezë të organizohen në sindikata dhe u jep mundësi udhëheqësve t’u heqin punëtorëve disa përfitime që i meritojnë.” -tha studjuesi.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime rreth lirisë fetare në Kinë, duke përmendur veçanërisht udhëheqësin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama. Presidenti Bush ka në plan gjatë vizitës të marë pjesë në një meshë të djelën në një kishë në Pekin dhe të bëjë thirrje për liri të fjalës.

“Populli i Kinës dëshiron më shumë liri të shprehuri, liri besimi pa kontroll shtetëror, që të botojë Biblën dhe tekste të tjera të shenjta pa patur frikën e dënimit.”- tha ai.

E drejta e pronës intelektuale, po ashtu pritet të jetë në rendin e ditës të vizitës së Presidentit Bush. Megjithatë, Gjing Huang thotë se kjo është një çështje e komplikuar që vë përballë udhëheqësit e Pekinit me zyrtarët vendorë.

“Në se bisedon me udhëheqësit në Pekin, ata janë të sinqertë dhe duan të bashkëpunojnë me ne përsa i përket të drejtave të autorit. Por në se ulesh në nivel vendor, gjendja është krejt ndryshe. Pra përpjekjet tona janë në fakt me qeveritë lokale në Siçuan, Henan, Shandong e rajone të tjera. Këto qeveri nuk janë të interesuara për mbrojtjen e të drejtave të autorit, pasi ato përfitojnë nga shkeljet e tyre.”

Administrata amerikane është shprehur e kënaqur me komentet që bënë zyrtarët kinezë gjatë vizitë snë Nju Jork të Presidentit Hu Gjin Tao. Këshilltari i Sigurimit Kombëtar Stephen Hadley tha se problemi tani është që këtë deklarata të kthehen në masa konkrete.

XS
SM
MD
LG