Lidhje

Të rinjtë amerikanë me ambicje për politikë


Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 180 milionë shtetas me të drejtë vote. Rreth një a katërta e tyre janë nën moshën 34 vjeç. Por amerikanët e rinj jo vetëm që votojnë, por miliona prej tyre harxhojnë kohë dhe energji duke punuar për çështje politike; në universitete, në manifestime me motive politike, në zyrat e politikanëve, madje kanë edhe poste.

Kur studentët amerikanë përfundojnë studimet e larta, shumica e tyre kërkojnë punë zyre. Por jo Dom Cirincione. “Kam nderin të shpall kandidaturën time për Dhomën e Delegatëve të shtetit Maryland.”

Zoti Cirincione, i cili u diplomua nga universiteti në maj, kërkoi një post politik në moshën 22 vjeçare. “Mendoj se është gjë e mirë, sepse shumë njerëz mendojnë se rinia nuk ka ndikim në këtë vend, shtet apo komunë. Por në fakt të rinjtë kanë ndikimin e tyre.”

Një pjesë e madhe e 56 milionë shtetasve amerikanë mes moshave 18 dhe 34 vjeç ushtrojnë një farë ndikimi, dhe jo vetëm 25 milion të rinjtë që votuan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000. Në universitete dhe zyra politikanësh – madje edhe në koridoret e kongresit, të rinjtë po i japin formë së ardhmes nëpërmjet politikës. Ata dalin vullnetarë, mbrojnë çështje të ndryshme dhe bëjnë fushata. Madje disa, si zoti Cirincione, vënë kandidaturën edhe për poste zyrtare. Disa kanë siguruar poste politike pavarësisht nga mosha e re, e ndoshta për vetë faktin sepse janë të rinj.

Për Will Campos është viti i parë si politikan në një zyrë lokale, që përfaqëson 90 mijë njerëz. Ai thotë se është anëtari i parë me prejardhje latine, ose hispaniku i parë, në një këshill lokal. Në moshën 31 vjeçare, ai është edhe anëtari më i ri në moshë i Këshillit të komunës së Prince George. Ai thotë se njerëzit e përdorën moshën kundër tij: “Mosha ishte një nga gjërat që unë arrita ta përdor në avantazhin tim. Kur të gjithë thonin “Ai është shumë i ri për të bërë këtë ose atë punë,” unë shkoja derë më derë dhe takohesha me njerzit, të cilëve u thosha se unë mund ta bëja këtë punë.”

Zoti Campos përfitoi nga përvoja e kandidimit kundër politikanëve më të vjetër. “Më pëlqen që të tjerët më nënvlerësojnë sepse ka funksionuar më së mirë për mua. Kur kandidatët e tjerë më nënvlerësonin dhe më shikonin si inferior, unë përfitoja dhe theksoja vazhdimisht mesazhin tim. Më pëlqen që të konsiderohem në pozita inferiore, sepse kështu mund të provoj që kundërshtarët e mij janë gabim. Në pozita të tilla kam qënë gjatë gjithë jetës time.”

Zoti Campos filloi të merrej me politikë kur shërbeu si përfaqësuesi hispanik i komunës. Ai po shikonte për mundësinë që të angazhohej më shumë në politikë, kur mësoi rreth postit në këshill: “Ishte një mundësi e madhe që m’u dha që të shpreh mendimet e mija në komunitet dhe kjo ka ndikuar në formimin tim si individ.”

Por jo të gjithë politikanët shkojnë çdo ditë në zyrat lokale të zonave që përfaqësojnë. Rreth 30 kilometra larg zyrës së zotit Campos, Patrick McHenry, i cili është vetëm 30 vjeç, punon në Kongresin amerikan. “Disa janë tallur duke thënë se dukem si një nga studentët praktikantë në kongres dhe një gjë e tillë krijon pak vështirësi për mua. Por policia në godinën e kongresit më njeh se jam anëtar kongresi dhe mund të hyj në dhomën e përfaqësuesve.”

Zoti McHenry nuk është vetëm anëtar i degës legjislative të qeverisë amerikane. Përfaqësuesi i Karolinës së Veriut është anëtari më i ri i kongresit më të vjetër në histori, ku mosha mesatare është 56 vjeç. “Të jesh në moshën e nipërve ose stërnipërve të anëtarëve të tjerë të kongresit amerikan është sfidë e madhe. Por, kur e provon veten në marrëdhënie personale me kolegët, ata nuk të shohin më si 30 vjeçar por thjesht si koleg.”

Në paraqitje do të ishte e pamundur të mendoje se ky anëtar kongresi është si kolegët e tij. Por është e qartë se zoti McHenry është serioz, ambicioz dhe po aq i pjekur sa kolegët e tjerë. “Themelusit që shkruan kushtetutën vunë kriterin e moshës se duhet të jesh 25 vjeç për të shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve. Pra unë, po përmbush atë që mendoj se kanë thënë themeluesit, që në Dhomën e Përfaqësusve të shërbejnë një grup i larmishëm burrash dhe grash për të qënë zëri i popullit.” Një zë që përfshin më shumë se 50 milionë të rinj dhe të reja të cilët duan që idetë, shqetësimet dhe idealet e tyre të dëgjohen në jetën politike.

XS
SM
MD
LG