Lidhje

Teknologjia në ndihmë të edukimit


Teknologjia e re e kompjuterave po u hap rrugën nxënësve të shkollave në vende në zhvillim të mos ndihen të shkëputur nga kolegët e tyre në vendet e zhvilluara. Fjala ështe për një prodhim të ri, të përballueshëm financiarisht, por edhe tepër praktik për vendet në zhvillim.

Kompjuteri quhet Makina e Gjelbër. Ai u prezantua fillimisht këtë javë në takimin vjetor të OKB-së për teknologjinë informative në Tunizi. Kompjuteri portativ me një mbulesë plastike funksionon me energji të përftuar nga vetë-kurdisja.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e vlerësoi këtë mjet të ri, që kushton vetëm 100 dollarë, duke e quajur një shprehje të solidaritetit global: “Ai premton përparim të madh në zhvillim ekonomik dhe social. Por më e rëndësishmja, është e vërteta që fshihet pas idesë së një kompjuteri për nxënës. Nuk është thjesht ideja që çdo nxënës të ketë një kopjuter, por është nxitja, është frymëzimi, që ajo mund të nxisë tek çdo fëmijë.”

Kompjuteri u prodhua nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusesit. Ai ka lojra për fëmijë, u mundëson atyre komunikimin me njeri tjetrin, por mbi të gjitha është një mjet edukues.

Michael Negroponte i Institutit të Teknologjisë thotë se synimi ishte të prodhohej një artikull i lirë dhe i thjeshtë. “Çdo përparim teknik që do të bëhet gjatë 5 vjetëve të ardhshëm, do të bëhet për të përfituar fëmijët. Çmimet do të vijnë gjithmonë e në ulje. Ne kemi prodhuar një makinë të fortë që përdor shumë pak energji.”

Zoti Negroponte shpreson që kompjuteri i ri do të lejojë çdo nxënës në vendet në zhvillim të kenë kompjuterat e tyre. Megjithëse kompjuterat nuk kanë filluar ende të prodhohen në masë, modeli i paraqitur do të jetë gati në shkurt dhe më pas do të fillojë të përdoret në 6 vende. Disa qeveri kanë shprehur interes që tani për kompjuterat, ndonëse programi parashikon që qeveritë duhet të blejnë të paktën 1 milionë kompjutera për të marrë pjesë në të.

XS
SM
MD
LG