Lidhje

Irak: Vazhdon dhuna ndërsa udhëheqësit takohen për të biseduar për pajtimin kombëtar


Në Irak një person kreu një shpërthim vetëvrasës makinë-bombë gjatë një procesi varrimi të banorëve shi’itë, duke vrarë të paktën 35 persona dhe plagosur rreth 50 të tjerë.

Policia në qytetin e Abu Saidës, në afërsi të Bakubës bën të ditur se personi me makinën bombë iu afrua një tente ku të pranishmit në varrim po u jepnin ngushëllimet e rastit familjarëve dhe aty kreu shpërthimin.

Po sot, në jug-lindje të Bagdatit, të paktën 13 persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën, kur një makinë bombë shpërtheu në një treg plot me njerëz.

Në Mosul, policia irakiane dhe forcat amerikane u përleshën me kryengritësit duke vrarë 8 prej tyre. Po ashtu policia irakiane thotë se 4 persona u arrestuan lidhur me bombat e djeshme në dy xhami në qytetin kurd të Khanakinit, ku u vranë rreth 80 vetë.

Në këtë atmosferë dhune, udhëheqës të shi’itëve, kurdëve dhe sunive, filluan bisedimet tre ditore për pajtim kombëtar në Kajro. Bisedimet me ndërmjetësinë e Lidhjes Arabe shpresojnë t’i japin fund dhunës sekatere që ka përfshirë Irakun.

XS
SM
MD
LG