Lidhje

Irani kërcënon inspektimet ndërkombëtare nëse çëshja i referohet Këshillit të Sigurimit


Parlamenti i Iranit votoi për të mos lejuar inspektorët ndërkombëtarë të hyjnë në objektet bërthamore të vendit, në qoftë se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, i kërkon Këshillit të Sigurimit të marrë në shqyrtim programin bërthamor të Teheranit për të vendosur sanksione të mundshme.

Rezoluta e miratuar sot gjatë një votimi që u transmetua drejtëpërdrejtë nga televizioni, po ashtu i udhëzon specialistët vendas të rifillojnë programin e pasurimit të lëndëve bërthamore në se Agjencia e OKB-së i drejtohet Këshillit të Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa e akuzojnë Iranin se po përpiqet të prodhojë uranium të gradës së armëve për të ndërtuar bombë bërthamore. Teherani thotë se programi bërthamor synon vetëm prodhimin e energjisë elektrike.

Të enjten bordi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, i përbërë nga 35 vende, do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për t’ia referuar çështjen e Iranit, Këshillit të Sigurimit. Javën e kaluar Agjencia e OKB-së tha se Irani ka patur projekte të hollësishme që nga viti 1987, që mund të shërbejnë si skicë-bazë për bombën bërthamore.

XS
SM
MD
LG