Lidhje

Bosnja 10 vjet pas Dejtonit


Gjatë javës së kaloi, deri më 21 nëntor, zhvillohen ceremoni për të festuar dhjetë vjetorin e marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës etnike tre vjeçare në Bosnje-Hercegovinë.

Sarajeva ende po mëkëmbet nga rrethimi tre vjeçar i serbëve të Bosnjes që la pas mijëra të vdekur e të plagosur. Ajo është më e vogël sa ç’ka qënë. Identiteti i saj i fortë shumë-etnik u shkatërrua. Megjithëse pjesa më e madhe e Sarajevës është rindërtuar, kujtimet nga ndërtesat me shenjat e plumbave të kohës së luftës dhe memorialet për viktimat janë të pranishme.

Analisti politik Senad Slatina vë në dukje arritjet e shumta gjatë dhjetë vjetëve në paqe.“Po flasim për një vend që vetëm dhjetë vjet më parë ishte në një luftë të tmerrshme ku njerëzit u vranë vetëm nga emri që mbanin. Tani të gjithë jetojnë së bashku duke u përpjekur të formojnë një shtet të përbashkët të Bosnje-Hercegovinës”.

Marrëveshja e Daytonit e negociuar nga ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Richard Holbrooke, i dha fund konfliktit më të përgjakshëm në Evopë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por duke bërë këtë, ajo njohu dy entitete të veçanta: një federatë të myslimanëve të Bosnjes dhe kroatëve me qendër në Sarajevë dhe një të dytë, republikën e serbëve të Bosnjes që përbën gati gjysmën e territorit të Bosnjes.

Senad Slatina thotë se Dayton-i dështoi të ndërtonte një shtet boshnjak të qendrueshëm. “Në vend kishte fraksione ndërluftuese. Vjen e ndërhyn për të ndalur luftën. Por nuk bën asgjë për të nxitur politika fituese. Kërkon t’i kënaqësh të gjithë, ata që janë përpjekur ta shkatërrojnë këtë vend dhe ata që janë përpjekur ta ruajnë këtë vend dhe ta shndërrojnë atë në një shtet modern dhe të decentralizuar. Kjo nuk funksionon”.

Para së gjithash, Bosnja ende qeveriset nga një përfaqësues i lartë i emëruar nga Kombet e Bashkuara, ndërsa një forcë shumë-kombëshe e drejtuar nga evropianët mban sigurimin.

Irena Guzelova është zëdhënëse për Paddy Ashdownin, administratorin e Bosnjes që po largohet. Zonja Guzelova përshëndet sukseset e fundit në bashkimin e dy ushtrive të Bosnjes, sistemit ligjor dhe të taksave, dhe krijimin e një force të vetme policore. “Këto tre vjet e gjysëm janë dominuar nga krijimi i institucioneve që janë të nevojshme për funksionimin e shtetit, të institucioneve bazë”.

Si diku gjetkë në Ballkanin perendimor, politikanët boshnjakë të të gjitha bindjeve kërkojnë që vendi i tyre të bëhet pjesë e Bashkimit Evopian. Nga përparimet e kohëve të fundit, BE-ja në fillim të dhjetorit do të fillojë bisedimet për marrëveshjen e asocim-stabilizimit me Bosnjen. Zonja Guzelova thotë se këto negociata janë një hap i madh përpara. "Marrëveshja është shkalla e parë drejt rrugës së gjatë për anëtarësim në BE. Në këtë pikë, kjo është një shkëndijë për të rimenduar natyrën e arkitekturës ndërkombëtare në Bosnje, veçanërisht për zyrën e përfaqësuesit të lartë”.

Bashkimi Evropian shpreson që ndërsa qeveria e Bosnjes merr në dorë më shumë pushtet, administrata e drejtuar nga BE-ja do të largohet së andejmi deri në fund të vitit 2006.

Zhvillime të tjera të rëndësishme janë pranë. Dhjetë parti politike nga të dyja entitetet boshnjake u takuan javën e kaluar në Bruksel për të diskutuar formulimin e një kushtetute të re. Këto bisedime do të vazhdojnë javën e ardhshme në Washington.

Është thënë se Bosnja është një shtet jofunksional. Duke pranuar se ka një farë të vërtete në këtë vlerësim, po shtohen përpjekjet si nga zyrtarët vendorë edhe ata të huaj për ta bërë Bosnjen një shtet modern, të qendrueshëm e të bashkuar. Analistët thonë se ka ardhur koha për ta lënë pas Daytonin.

XS
SM
MD
LG