Lidhje

Kosovë: I dërguari i OKB-së do të takohet sot me grupin negociator dhe udhëheqësit e kishës ortodokse serbe


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës, Marti Ahtisari, do të takohet në Prishtinë me grupin negociator të Kosovës dhe udhëheqës të kishës ortodokse serbe në Kosovë, peshkopin Teodosije dhe Atin Sava, të manastirit të Decanit. Ati Sava i tha mbrëmë Zërit të Amerikës, se do të bisedohet për cështje që kanë të bëjnë me kishën. Mbrojtja e vendeve të shenjta të kishës ortodokse serbe, është një nga çështjet më të ndjeshme në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.

Kryenegociatori I Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, ish-presidenti finlandez Marti Ahtisari, do të takojë sot grupin negociator të Kosovës të kryesuar nga presidenti Ibrahim Rugova dhe udhëheqësit e kishës ortodokse serbe, peshkopin Teodosije dhe Atin Sava, të manastirit të Deçanit.

Ati Sava i tha mbrëmë Zërit të Amerikës, se nuk do të jepte hollësi për atë që pritet të bisedohet sot. E vetmja gjë që dihet tani për tani është siç thotë atë Sava se do të bisedohet për cështje që kanë të bëjnë me kishën. Mbrojtja e vendeve të shenjta të kishës ortodokse serbe, është një nga çështjet më të ndjeshme në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.

Zoti Ahtisari pritet të vizitojë pas Prishtinës, Beogradin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën. Strategjia e negociatave është ajo e diplomacisë së ecejakeve ndërkohë që faza e parë që filloi dje është njohja me

pozicionet e palëve. Pala shqiptare pritet t’ia paraqesë sot pozicionin e vet zotit Ahtisari ndërsa pala serbe miratoi dje një rezolutë në parlament, e cila është udhërrëfyese për qëndrimin e delegacionit serb. Presidenti serb Boris Tadiq ka biseduar në Moskë me presidentin rus Putin gjatë vizitës së tij të fundit atje,në lidhje me elementet e planit serb për negociata, i cili bazohet në parimin “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”.

Elementët bazë të këtij plani serb janë ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, dhe krijimi i dy entiteteve në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar ka hedhur poshtë cdo mundësi për ndarje të Kosovës, ndërsa për palën shqiptare, pavarësia është cështje e panegociueshme në bisedime.

XS
SM
MD
LG