Lidhje

Prishtinë: Marti Ahtisari takohet me përfaqësues të pakicave

  • Linda Karadaku-Ndou
  • Prishtinë

Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, u takua sot në Prishtinë me përfaqësues të pakicave, veç me përfaqësuesit e pakicës serbe dhe pastaj me përfaqësuesit e pakicave të tjera. Oliver Ivanovic, një nga përfaqësuesit e pakicës serbe, tha se dy çështjet kryesore që kanë ngritur në takim ishin kthimi dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë.

“Kthimi dhe mbijetesa e serbëve që nënkupton siguri më të mirë dhe ekonomi më të mirë këtu, janë cështje për të cilat kemi ngulur këmbë. Presim që procesi të japë përgjigje në këto cështje. Për bisedimet përfundimtare, qëndrimet tona varen nga qëndrimi i Serbisë. Nëse Serbia do të jetë unike për një grup të përbashkët, të Beogradit dhe të serbëve të Kosovës, unë absolutisht nuk e kundërshtoj një mundësi të tillë”.

Xhezair Murati, përfaqësues i pakicës boshnjake, tha:

“Sot patëm mundësinë të themi sesi e shohim të ardhmen e Kosovës, duke mbështetur vullnetin e shumicës, të bashkësisë shumicë, por duke kërkuar disa të drejta të posaçme që na përkasin sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Jam optimist se bashkësia ndërkombëtare e kupton shumë seriozisht procesin e statusit të ardhshëm të Kosovës, dhe shpresoj se ne si pakicë, do të japim ndihmesën tonë, duke kërkuar ato të drejta që na takojnë”.

Sabit Rrahmani, përfaqësues i ashkalinjve të Kosovës, vuri në dukje se pakicat e tjera, përveç asaj serbe, kanë votuar në favor të rezolutës, e cila rikonfirmon vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi.

Zoti Ahtisari, përfundon sot vizitën e tij të parë në Prishtinë për të vazhduar negociatat e tipit diplomaci e ecejakeve në Beograd, Podgoricë, Shkup dhe Tiranë.

XS
SM
MD
LG