Lidhje

Shtëpia e Bardhë vazhdon ofensivën retorike ndaj kritikëve të luftës në Irak

  • Mil Arcega

Shtëpia e Bardhë vazhdon ofensivën e saj retorike kundër atyre që kritikojnë luftën në Irak. Nënpresidenti Dick Cheney e mori në mbrojtje vendimin e administratës për të ndërhyrë në Irak në mars të vitit 2003 dhe përsëri hodhi poshtë akuzat se Shtëpia e Bardhë e çorientoi publikun amerikan duke përdorur informacione zbulimi të pasakta për të justifikuar luftën.

Duke folur në Institutin American Enterprise, një organizatë konservatore me qendër në Uashington, nënpresidenti Cheney i quajti propozimet për tërheqjen amerikane nga Iraku një “iluzion të rrezikshëm” i cili do të çonte në dhunë të mëtejshme kundër vendeve të lira.

"Në fakt, një tërheqje e tillë do të bindëte terroristët se ne vendet e lira do të ndryshojmë politikat, do të lemë në baltë miqtë dhe do të braktisim interesat tona sa herë që përballemi me vrasje dhe me shantazh." - tha nënpresidenti.

Debati rreth politikës për Irakun arriti pikën e vlimit javën e kaluar, kur kongresmeni i Partisë Demokrate John Murtha, i cili më parë e ka mbështetur rolin amerikan në Irak, i bëri thirrje presidentitg Bush të tërhiqte të gjitha trupat amerikane brenda 6 muajve. Anëtarët e Partisë Republikane e akuzuan si frikacak zotin Murtha, veteran i korpusit të marinsave duke kërkuar që çështja të hidhej në votë. Propozimi për tërheqje të menjëhershme u hodh poshtë nga thuajse të gjithë anëtarët republikanë dhe demokratë të Kongresit.

Në fjalimin e tij, zoti Cheney nuk bëri sulme personale si atë që disa ligjvënës ndërmorën javën e kaluar kundër zotit Murtha. Sulmet e tij më të ashpra i drejtoheshin senatorëve demokratë, të cilët e akuzojnë administratën se e ka mashtruar qëllimisht publikun amerikan.

"Dua të përsëris se janë të pandershme dhe të dënueshme aluzionet e bëra nga disa senatorë sipas të cilëve Presidenti i Shteteve të Bashkuara ose ndonjë pjestar i kësaj administrate qëllimisht e mashtroi popullin amerikan lidhur me informacionet e zbulimit të paraluftës," tha nënpresidenti.

Por sipas gazetës Los Angeles Times, zyrtarë të zbulimit gjerman i paralajmëruan në atë kohë autoritetet amerikane se informatori i tyre më i rëndësishëm, një i arratisur irakian me emrin kod "Curveball" vuante nga probleme emocionale dhe mendore dhe se ai kurrë nuk kishte pretenduar se kishte parë armë të shkatërrimit në masë. Megjithëse i diskredituar nga zyrtarët gjermanë të zbulimit, rrëfimet e informatorit lidhur me uzinat e lëvizëshme të armëve biologjike arritën të hyjnë në raportin që sekretari i atëhershëm i shtetit Colin Powell mbajti në shkurt 2003 para Kombeve të Bashkuara. Ky fjalim ndihmoi të forcoheshin argumentet në favor të luftës. Duke folur të dielën në programin e rrjetit televiziv NBC "Meet the Press" kongresmeni Murtha i quajti të papranueshme informacionet e pasakta të zbulimit.

"Presidenti duhet të tregohet i rreptë ndaj njerëzve që i japin informacione të pasakta zbulimi. Ne shpenzojmë për zbulimin më shumë se sa të gjitha vendet të marra së bashku e megjithatë informacionetg tona ishin të gabuara. Nuk ka dyshim se po shkojmë në drejtimin e gabuar dhe jo drejt fitores tha ligjvënësi."

Zyrtarët e Shtpisë së Bardhë e venë në pikëpyetje deklaratën e zotit Murtha. Sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld thotë se koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara vazhdon të bëjë përparim dhe se një tërheqje e trupave do ta kthente Irakun në një fushë të lirë veprimi për terroristët.

XS
SM
MD
LG