Lidhje

10-vjetori i Marrëveshjeve të Dejtonit dhe sfidat e reja për Bosnjen


10-vjetori i Marrëveshjeve të Deitonit, të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje-Hercegovinë, po festohen në Shtetet e Bashkuara duke vënë në dukje suksesin e dekadës së fundit dhe me parashikime për një të ardhme edhe më të ndritshme. Lufta në Bosnje-Hercegovinë shkaktoi vdekjen e 250 mijë vetëve, përfshirë masakrimin e tetë mijë viktimave në Srebrenicë – masakra më e rëndë në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Marrëveshjet e Deitonit i dhanë fund konfliktit etnik dhe mundësuan kthimin e disa refugjatëve në shtepite e tyre. Sot kroatë, serbë dhe boshnjakë në Bosnje-Hercegovinë po rindërtojnë shtëpitë dhe jetët e tyre. Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha se ka ardhur koha që Marrëveshjet e Dejtonit të çohen tani në një nivel më të lartë, për ta shndërruar Bosnjen në një vend më të bashkuar: “Për të bërë realitet premtimin për paqe dhe përparim, ne duhet të ecim përtej kornizës së ndërtuar një dekadë më parë. Një vend i dobët dhe i ndarë ishte i pranueshëm në vitin 1995, por në vitin 2005 vendi ka nevojë për një shtet më të fuqishëm dhe më energjik, të aftë për të bërë realitet të mirën e popullit, dhe për të siguruar interesin kombëtar,” tha Sekretarja e Shtetit.

Qeveria e Bosnje-Hercegovinës ka filluar tashmë ndërtimin e institucioneve kombëtare si shërbimin shtetëror të kufijve dhe shërbimin e zbulimit. Udhëheqja e Bosnjes ka filluar procesin e ndërtimit të një force ushtarake kombëtare plotësisht të integruar, e cila u përmbahet standarteve të NATO-s.

Por Bosnje-Hercegovina do të vazhdojë të ndeshet me sfida në të ardhmen. Së pari, tha Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, “Bosnje-Hercegovina duhet të përballet plotësisht me djajtë e së kaluarës; në veçanti duhet të angazhohet për përmbushjen e kërkesës që i është parashtruar prej kohësh, për të sjellë kriminelët e luftës si Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç para drejtësisë.”

Udhëheqësit serbë të Bosnjes në Banja Lluka dhe qeveria serbe në Beograd kanë një përgjegjësi të veçantë për të gjetur dhe dorëzuar Karaxhiçin dhe Mlladiçin në Gjykatën për krimet e luftës në Hagë. Në vitet që vijnë, Bosnje-Hercegovina duhet të gjejë rrugën drejt shndërrimit në një shtet politikisht më të bashkuar.

Shtetet e Bashkuara e mirëpresin ditën kur banorët e Bosnje-Hercegovinës do ta konsiderojnë veten mbi të gjitha si shtetas të Bosnjës, dhe jo si myslimanë, kroatë apo serbë.

XS
SM
MD
LG