Lidhje

Raport i Shoqatës për të Ardhmen e Botës lidhur me forcat që ndikojnë në ndryshimin e botës


Njëra prej prirjeve është rritja e popullsisë. Në raport thuhet se deri në mes të këtij shekulli pritet që popullsia e botës të arrijë në 9 miliardë banorë. Mes zonave që ka më shumë të ngjarë të përjetojnë rritje të mëdha të popullsisë janë territoret palestineze, Nigeria, Jemeni dhe Angola.

Por rritja e popullsisë në shumë vende industriale pritet të bjerë. Megjithatë, përparimet në fushën e mjeksisë ndihmojnë që popujt e këtyre vendeve të jetojnë më gjatë.

Edhe migrimi ndërkombëtar luan rol në formimin e së ardhmes. Në raport thuhet se ekziston një farë qëndrese, por edhe pranimi në rritje i kulturave të ndryshme. Migrimi po ndërthur njerëzit me prejardhje të ndryshme dhe siç thuhet në raport po i detyron ata që të gjejnë mënyra për të bashkëjetuar në paqe dhe harmoni. Thuhet se kjo është më se e vërtetë mes të rinjve.

Ekonomia botërore po integrohet gjithnjë e më shumë. Raporti, për shembull, vë në dukje se kompanitë në vende me rroga të larta po i eksportojnë vendet e punës si dhe shërbimet në vendet me rroga të ulëta.

Në të njëjën kohë, Interneti u bën të mundur bizneseve që të kërkojnë në gjithë botën për materiale me kosto më të ulët. Në disa raste, Interneti mund të ndihmojë kompani të vogla që të konkurojnë me kompani të mëdha.

Lidhur me çështje të tjera, raporti paralajmëron se ekstremistët islamikë do të përhapet dhe do të fitojë më shumë pushtet. Në të thuhet se ekstremistët janë zemëruar si rezultat i përmbysjes nga pushteti të Talebanëve në Afganistan dhe Sadam Huseinit në Irak. Prandaj ka edhe më shumë të ngjarë që në të ardhmen të ketë revolucione.

Lidhur me çështjen e energjisë, përdorimi i naftës pritet të mbrrijë në 110 milion fuçi në ditë deri në vitin 2020 në krahasim me 80 milion fuçi në ditë që është niveli i tanishëm. Në raport nuk përfillet një mendim popullor se bota nuk do të ketë më naftë. Sipas raportit, llogaritjet e OPEK-ut tregojnë se 11 vende të tij anëtare kanë ende naftë edhe për 80 vjetët e ardhshëm. Madje prodhimi mund të shtohet në vende të tjera si Kina, Rusia dhe Kazakistani.

Shoqata për të Ardhmen e Botës e përshkruan veten si një organizatë shkencore dhe arsimore me rreth 25 mijë anëtarë. Ajo e ka bazën në shtetin amerikan të Merilandit.

XS
SM
MD
LG