Lidhje

Fillon punimet Konferenca Ndërkombëtare vjetore e fituesve të Çmimit Nobel për Paqe


Më 24 nëntor 2005 filloi në Romë punimet Konferenca Ndërkombëtare vjetore e fituesve të Çmimit Nobel për Paqe dhe temë qendrore e saj është gjendja në Afrikë. Çmimi Njeriu për Paqen iu dha këngëtarit Bob Geldof, i cili bëri thirrje për tregëti të lirë dhe i kërkoi Grupit të Tetëshes të mbajë premtimet e marra korrikun e kaluar.

Ditën e parë të konferencës së laureatëve Nobel të Paqes, ylli irlandez i muzikës rock, Bob Geldof, mori çmimin Njeriu për Paqen për kontributin në përmirësimin e jetës së të varfërve, veçanërisht në Afrikë.

Çmimin ia dorëzoi udhëheqësi sovjetik, Mihail Gorbaçov - themeluesi i fondacionit në vitin 1992, i cili organizon çdo vit konferencën e laureatëve Nobel të paqes bashkë me këshillin bashkiak të Romës.

Zoti Geldof tha se ishte pushtuar nga emocionet dhe se ndjehej thellësisht krenar për çmimin. Në korrik të këtij viti, ai organizoi një seri koncertesh në qytete të ndryshme të botës, përfshirë Romën dhe Londrën, për të rritur vetëdijën mbi varfërinë në botë. Koncertet u organizuan pak ditë para takimit të Grupit të Shtatë Vendeve të Industrializuara plus Rusinë apo Grupi i Tetëshes, siç njihet ndryshe në Glen Eagles të Skocisë.

Konferenca e këtij viti titullohet “Urgjencë për Afrikën - Nga Vëmendja në Veprim”. Zoti Geldof tha se gjendja urgjente në Afrikë është tani pa diskutim problemi më i vështirë politik.

Ai u kërkoi më shumë se 20 laureatëve të çmimit Nobel për Paqen të marrin pjesë në konferencë për të diskutuar dhe gjetur një mekanizëm i cili do të siguronte mbajtjen e premtimeve të Grupit të Tetëshes për dyfishimin e ndihmës për Afrikën dhe faljen e borxheve.

“Po të thyhet premtimi i të fuqishëmve ndaj të dobtëve, kjo do të jetë vdekje për ta. Nuk mund të thyejmë premtimet që u bënë më 6 korrik në Gleneagles”.

Ai tha se nevojitet mbqikqyrje për të garantuar që vendet e pasura t’i mbajnë pemtimet e tyre. Geldof tha se nga marrëveshja për faljen e kredive të prapambetura, 290 milionë njerëz po fillojnë të dalin nga skllavëria e borxheve.

Zoti Geldof tha se duhet bërë përpjekje më e madhe për përmbushjen e premtimit të vitit 2000 mbi përgjysmimin e numrit të të uriturve në botë deri në 2015-ën. Ai theksoi gjithashtu nevojën për ndryshimin e rregullave të tregëtisë gjatë punimeve të takimit të Organizatës Botërore të Tregëtisë i cili do të zhvillohet në Hong Kong muajin e ardhshëm.

Ai i kërkoi Bashkimit Evropian të zgjidhë çështjen e subvencioneve për bujqësinë, që përbën 40 për qind të buxhetit të organizatës. Ai tha se për shkak të subvencioneve evropiane në bujqësi njerëzit në Afrikë vdesin, pasi nuk arrijnë të hynë në tregjet e Evropës.

“Duhet që bujqit afrikanë me vetëm një dollar në ditë të mund të hyjnë lirisht në tregjet perëndimore, në vend që shtetet e pasura t’u kërkojnë si këmbim hapjen e tregjeve dhe ekonomive të tyre të vogla”.

Zoti Geldof tha se Afrikës duhet t’i krijohet mundësia që, përmes tregëtisë, të nxjerrë veten nga varfëria.

XS
SM
MD
LG